Dhjetëra aktivistë u mblodhën sot para ambasadës izraelite në Canberra, duke kërkuar dëbimin e ambasadorit pasi Izraeli refuzoi të ngrejë padi penale kundër oficerëve të përfshirë në sulmet që vranë punonjësen australiane të ndihmës Zomi Frankcom në Gaza, transmeton Anadolu.
Protestuesit shfaqën fotografi të palestinezëve të vrarë në Gaza dhe brohoritën “Nxirreni ambasadorin izraelit jashtë” dhe “Palestina e Lirë”, raportoi SBS News. Protestuesit bllokuan hyrjen e ambasadës përpara se policia t’i largonte nga hyrja e makinës.
Frankcom, 43-vjeçe dhe gjashtë punonjës të tjerë të “World Central Kitchen” u vranë më 1 prill 2024, kur dronët izraelitë goditën tre automjete të shënuara qartë në konvojin e tyre humanitar në Gazën qendrore.
Protesta erdhi pasi kolonel Nochi Mendel, komandanti izraelit që autorizoi sulmet, mbrojti vendimin e tij në një intervistë të botuar javën e kaluar.
“Nuk më vjen keq për atë që bëra”, tha Mendel.
Mikja e Zomi Frankcom-it, Karuna Bajracharya, e cila iu bashkua protestës, i përshkroi vërejtjet e Mendel-it si “të neveritshme”.
Senatorja e të Gjelbërve, Mehreen Faruqi akuzoi qeverinë australiane se nuk e mbajti Izraelin përgjegjës dhe bëri thirrje për sanksione.
“Ata duhet t’i kishin vendosur sanksione Izraelit shumë kohë më parë”, u tha Faruqi protestuesve.
Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong muajin e kaluar tha se ishte “e indinjuar” nga vendimi i Izraelit për të mos ngritur akuza penale, ndërsa kryeministri Anthony Albanese tha se Izraeli nuk kishte arritur të përmbushte përgjegjësinë që priste Australia.

