RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Huthit e Jemenit konfirmojnë sulmet ndaj Arabisë Saudite

huthit-e-jemenit-konfirmojne-sulmet-ndaj-arabise-saudite

Grupi Huthi i Jemenit konfirmoi sot kryerjen e sulmeve në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë ndaj Arabisë Saudite dhe u zotua të vazhdojë operacionet thellë brenda mbretërisë mes një përshkallëzimi të mprehtë midis dy palëve, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree tha se grupi kreu një operacion ushtarak “në shkallë të gjerë” duke përdorur dhjetëra raketa balistike dhe dronë. Ai shtoi se sulmet kishin në shënjestër objektet e “Aramco”-s në Abha, Najran dhe Jizan si dhe bazën ajrore “Khamis Mushait”.

Saree pretendon se sulmet ishin “të sakta dhe të drejtpërdrejta” dhe shkaktuan dëme të mëdha në objektet e synuara.

Zëdhënësi i Huthive tha se operacioni ishte në përgjigje të sulmeve ajrore saudite në Jemen, duke pretenduar se Arabia Saudite kishte kryer 121 sulme gjatë tre ditëve të fundit në provincat Marib, Al-Bayda, Al-Hudaydah, Taiz dhe Al-Jawf.

Ai akuzon Arabinë Saudite për goditjen e burgut qendror në Al-Hazm “Al-Jawf”, duke shkaktuar viktima midis të burgosurve dhe vizitorëve, përfshirë gra dhe fëmijë.

“Ne do të vazhdojmë operacionet tona thellë brenda territorit saudit, do të synojmë forcimin e tij ushtarak dhe do të konsolidojmë ekuacionin e ‘bllokadës për bllokadë’ derisa të ndalet agresioni dhe të hiqet bllokada ndaj vendit tonë të dashur”, tha Saree.

Deklarata erdhi pasi autoritetet saudite thanë sot më herët se sulmet e Huthive në Abha, Khamis Mushait, Jizan dhe Najran plagosën të paktën 73 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Ministria saudite e Energjisë raportoi gjithashtu zjarre në objektet e energjisë në rajonin jugor të mbretërisë dhe tha se disa operacione në vendet e synuara u ndalën përkohësisht.

Zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, gjeneralmajor Turki al-Maliki, i quajti sulmet “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe tha se koalicioni do të marrë të gjitha masat e nevojshme operative për të penguar Huthit dhe për të neutralizuar burimet e kërcënimeve.

Përshkallëzimi i fundit vjen ndërsa forcat qeveritare të Jemenit kanë raportuar përparime në fushën e betejës kundër Huthive në disa fronte, përfshirë Al-Jawf, Al-Bayda, Taiz dhe Al-Hudaydah.

Jemeni është përfshirë nga konflikti që kur rebelët Huthi pushtuan kryeqytetin Sana në vitin 2014, duke bërë që një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars të vitit 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit.

Related posts

Policia nis fushatën informuese për Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet

RTI

Edhe 24 milionë euro për “spitalin e harruar” të Ferizajt

admin

Raporti mësues për nxënës në Ballkan më i mirë se mesatarja e BE-së

admin