RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Publikohen rezultatet e testit PISA, Kosova mbetet nën mesataren e OECD-së

publikohen-rezultatet-e-testit-pisa,-kosova-mbetet-nen-mesataren-e-oecd-se

Janë publikuar rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2025, ku performanca e nxënësve nga Kosova në shkencë, lexim dhe matematikë mbetet nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Kështu ka bë të ditur Ministria e Arsimit, ku thanë se në testimin e zhvilluar nga 10 deri më 30 maj të vitit 2025 morën pjesë gjithsej 6632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla.

“Në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), i cili u mbajt në periudhën 10-30 maj të vitit 2025, morën pjesë gjithsej 6632 nxënës të moshës 15-vjeç nga 213 shkolla. Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se performanca mesatare e nxënësve të Kosovës në shkencë –357 pikë dhe lexim – 340 pikë, rezultatet kanë mbetur përafërsisht në nivelin e vitit 2022, 357 pikë, respektivisht 342 pikë, ndërsa në matematikë – 350 pikë, performanca mesatare është më e ulët për 5 pikë në krahasim me vitin 2022. Rezultati më i lartë u shënua në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, gjithsej 359 pikë. Rezultatet në katër treguesit kryesorë të performancës janë nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD)”, thuhet në njoftimin e ministrisë se arsimit.

Sipas ministrisë,në këtë edicion të PISA-s, vajzat kanë shënuar rezultate më të larta se djemtë në të tri fushat e vlerësuara. Në shkencë, vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347. Në lexim, vajzat kanë arritur 358 pikë, krahasuar me 322 pikë te djemtë. Në matematikë, rezultatet kanë qenë pothuajse të barabarta, me 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.

Ministria thekson se një shqetësim i veçantë mbetet numri i ulët i nxënësve që arrijnë nivelin bazë të aftësive. Në vitin 2025, rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë arritën të paktën Nivelin 2 në shkencë, 15 për qind në matematikë dhe rreth 16 për qind në lexim.

“Prioritet i veçantë duhet t’i kushtohet zhvillimit të aftësive të aplikuara në matematikë, shkencë dhe lexim, veçanërisht aftësive për të menduar në mënyrë kritike, për të interpretuar informacionin, për të zgjidhur probleme dhe për të zbatuar njohuritë në situata të jetës reale. Një nga fushat me potencial të madh për përmirësim është rritja e numrit të nxënësve që arrijnë nivelet bazë të aftësive. Në vitin 2025, rreth 21% e nxënësve në Kosovë arritën të paktën Nivelin 2 në shkencë, 15% në matematikë dhe rreth 16% në lexim. Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i vogël. Kjo tregon nevojën për një qasje të dyfishtë: mbështetje më të madhe për nxënësit me rezultate të ulëta dhe programe të veçanta për zhvillimin e potencialit të nxënësve me performancë të lartë”, thuhet me tej në njoftimin e ministrisë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do t’i analizojë të gjitha gjetjet dhe rezultatet e PISA 2025, ndërsa raporti do të shërbejë si referencë për ndërhyrjet dhe përmirësimet që pritet të reflektohen në Strategjinë e re të Arsimit.

Related posts

BE nis hetim kundër kompanisë Meta lidhur me “sigurinë e fëmijëve”

admin

Ndikimi rus vazhdon të jetë kërcënim, SHBA paralajmëron për paqëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor

admin

Maqedonci pjesëmarrës në punimet e ministerialit të Kartës së Adriatikut

Muhamet Ramadani