Ministrja e Jashtme e Islandës thirri ambasadorin amerikan pasi Presidenti Donald Trump ndau një hartë që përshkruan Islandën dhe disa territore të tjera nën flamurin amerikan, raportuan mediat lokale të martën, transmeton Anadolu.
Ministrja e Jashtme, Thorgerdur Katrin Gunnarsdottir, thirri ambasadorin amerikan Billy Long në një takim mbi imazhin e postuar nga Trump në platformën e tij Truth Social, sipas transmetuesit publik islandez RUV.
“Në takim u bë e qartë se postimi ishte krejtësisht i papërshtatshëm,” tha Ministria e Jashtme e Islandës.
Harta tregonte SHBA-në, Kanadanë, Grenlandën, Islandën dhe Amerikën Qendrore të mbuluara nga flamuri amerikan. Trump postoi imazhin pa asnjë shpjegim shoqërues.
Incidenti vjen mes deklaratave të përsëritura të Trumpit për kërkimin e kontrollit të Grenlandës, një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës.
Në fillim të këtij viti, Trump iu referua në mënyrë të përsëritur Islandës ndërsa diskutonte për Grenlandën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos dhe në Shtëpinë e Bardhë.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë fillimisht mohuan se ai kishte ngatërruar të dy vendet, por Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më vonë pranoi se Trump kishte ngatërruar Islandën dhe Grenlandën.
Trump ka shpërndarë më parë imazhe që përshkruajnë Grenlandën nën flamurin amerikan ose simbole të tjera amerikane.
Postimi i fundit tërhoqi kritika në Islandë, me Sonja Thorbergsdottir, kryetare e Federatës së Punonjësve Shtetëror dhe Komunal, duke e përshkruar atë si “mosrespektim”.
“Kështu nuk duhet të sillen kombet e qytetëruara ndaj njëri-tjetrit,” tha ajo.

