Presidenti kinez, Xi Jinping, gjatë bisedës së parë telefonike me kryeministrin britanik, Andy Burnham, ka theksuar se Kina dhe Mbretëria e Bashkuar duhet “t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet” dhe të “zgjerojnë” agjendën e bashkëpunimit, transmeton Anadolu.
Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning, pasi e uroi kryeministrin Burnham për zgjedhjen e tij, Xi tha se Kina dhe Mbretëria e Bashkuar “gëzojnë një partneritet të gjithanshëm strategjik”.
“Pavarësisht se kanë sisteme të ndryshme shoqërore dhe kushte kombëtare, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar kanë më shumë interesa të përbashkëta sesa mosmarrëveshje”, tha Xi.
“Të dyja palët duhet të respektojnë dhe t’i besojnë njëra-tjetrës, t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet, të gjejnë pika të përbashkëta dhe të zgjerojnë agjendën e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë”, shtoi ai.
Në fillim të këtij viti, Xi priti në Pekin paraardhësin e Burnhamit, Keir Starmer, i cili i kishte cilësuar marrëdhëniet dypalëshe si “jetike”.
Vizita e Starmerit ishte e para e një kryeministri britanik në Kinë që nga viti 2018, ndërsa Burnham pasoi Starmerin në korrik të këtij viti.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mbretëria e Bashkuar ishte “vendi i parë i madh perëndimor që njohu” Pekinin në vitin 1950, ndërsa të dyja palët i ngritën marrëdhëniet e tyre në nivelin e një “partneriteti të gjithanshëm strategjik” në maj të vitit 2004.
Me tregtinë dypalëshe vjetore që arriti në 134.7 miliardë paund (182 miliardë dollarë) vitin e kaluar, të dyja palët gjithashtu kanë krijuar mekanizma dialogu të nivelit të lartë, përfshirë Takimin Vjetor të Kryeministrave, Dialogun Ekonomik dhe Financiar, Dialogun Strategjik dhe Dialogun e Nivelit të Lartë mes Popujve.

