RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryediplomati belg përshëndet kufizimet tregtare ndaj vendbanimeve izraelite si “hap të rëndësishëm”

kryediplomati-belg-pershendet-kufizimet-tregtare-ndaj-vendbanimeve-izraelite-si-“hap-te-rendesishem”

Ministri belg i Punëve të Jashtme, Maxime Prevot, ka përshëndetur planet e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe vendeve të tjera për të vendosur kufizime në tregtinë e mallrave nga vendbanimet izraelite, duke e cilësuar këtë veprim si një “hap të rëndësishëm”, transmeton Anadolu.

“Vendimi i marrë sot nga disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Kanadanë, për t’iu bashkuar grupit të vendeve që, ashtu si Belgjika, kanë ndërmarrë masa kundër politikës së vendbanimeve të Izraelit, është një hap i rëndësishëm”, shkroi Prevot në rrjetin social amerikan X.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë me masa konkrete kur shkelet e drejta ndërkombëtare. Përgëzoj përpjekjet e kolegëve të mi”, shtoi ai.

Prevot i bëri thirrje Izraelit t’i japë fund zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke iu referuar një deklarate të përbashkët të udhëheqësve, të bashkënënshkruar nga Belgjika më 20 gusht.

“Ne do të vazhdojmë të veprojmë në interes të saj”, tha ai, duke iu referuar një “paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”.

Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Danimarka, Spanja, Finlanda, Irlanda, Islanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia dhe Suedia thanë se synojnë të vendosin kufizime kombëtare në tregtinë e mallrave nga vendbanimet izraelite, të cilat janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, thuhet në një deklaratë.

Në deklaratë thuhet se Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja do të propozojnë masa kombëtare për të ndaluar tregtinë e mallrave me origjinë nga vendbanimet, ndërsa përshëndetën masat e ndërmarra tashmë nga Irlanda, Spanja, Holanda, Norvegjia dhe Belgjika.

Të dhënat e OKB-së tregojnë se dhuna nga kolonët izraelitë ka arritur në “nivele të paprecedenta”, me më shumë se 1.400 sulme që kanë shkaktuar viktima ose dëme materiale të dokumentuara gjatë vitit 2026.

Rreth 750.000 kolonë izraelitë jetojnë në 516 vendbanime dhe pika të paligjshme në territorin e pushtuar, duke ndërmarrë pothuajse çdo ditë veprime për të dëbuar palestinezët nga tokat e tyre.

Related posts

Një tjetër tmerr po vjen për palestinezët….

Irfan Jahiu

Njeriu në listën e zezë të SHBA-së propozohet për zëvendëskryeministër në Serbi

admin

Erdoğan: Kemi strehuar përkohësisht 2,4 milionë, rindërtimi brenda 1 viti – VIDEO

Muhamet Ramadani