RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ligjvënësi izraelit: Sanksionet e reja perëndimore “shumë vonë dhe shumë pak, por më mirë se kurrë”

ligjvenesi-izraelit:-sanksionet-e-reja-perendimore-“shume-vone-dhe-shume-pak,-por-me-mire-se-kurre”

Ligjvënësi izraelit, Ofer Cassif, ka përshëndetur kufizimet e reja tregtare dhe sanksionet që synojnë vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke theksuar se masat janë të nevojshme për t’i bërë presion Izraelit që t’i japë fund pushtimit, transmeton Anadolu.

“Përshëndes qeveritë që më në fund e kuptuan se ndaj Izraelit duhet të vendosen sanksione për të ndalur terrorin e sponsorizuar nga shteti në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe për të ecur drejt përfundimit të pushtimit kriminal, gjë që është në interesin e përbashkët si të palestinezëve, ashtu edhe të izraelitëve”, tha Cassif për Anadolu.

“Vërtet është shumë vonë dhe shumë pak, por më mirë se kurrë”, shtoi ai, anëtar i Knessetit izraelit që përfaqëson koalicionin e majtë Hadash-Ta’al.

Komentet e tij erdhën pasi Britania, Franca dhe Kanadaja njoftuan se do të ndalojnë importet nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Gjithsej 12 vende mbështetën veprimin e koordinuar kundër zgjerimit të vendbanimeve dhe dhunës së kolonëve.

Mbretëria e Bashkuar njoftoi gjithashtu një paketë më të gjerë masash, përfshirë sanksione ndaj individëve të përfshirë në dhunën e kolonëve dhe kufizime ndaj shërbimeve që mbështesin aktivitetin e vendbanimeve.

Sekretari i jashtëm britanik, Ed Miliband, tha se masat synojnë kundërshtimin e zgjerimit të vendbanimeve dhe mbrojtjen e mundësisë për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Miliband gjithashtu tha se qeveria britanike pajtohet se në Bregun Perëndimor të pushtuar po ndodh “spastrim etnik i palestinezëve”, i kryer nga “kolonët terroristë” izraelitë.

Masat e koordinuara vijnë mes shqetësimeve në rritje të komunitetit ndërkombëtar lidhur me zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, përfshirë planet për projektin e vendbanimit E1 në lindje të Kudsit, për të cilin kritikët thonë se mund të minojë vazhdimësinë territoriale të nevojshme për një shtet të ardhshëm palestinez.

Të 12 vendet, Britania, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Islanda, Irlanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Suedia, riafirmuan mbështetjen e tyre për një zgjidhje të negociuar me dy shtete dhe paralajmëruan se zgjerimi i vendbanimeve dhe dhuna po e kërcënojnë këtë perspektivë.

Masat e fundit gjithashtu kanë nxitur kritika të ashpra nga zyrtarët izraelitë, ndërsa ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, kanë bërë thirrje për masa hakmarrëse ndaj Britanisë.

Related posts

Houthi pas sulmeve SHBA-Britani: Të gjitha interesat amerikano-britanike tani objektiva legjitime

Muhamet Ramadani

Putin riafirmon mbështetjen e Rusisë për Venezuelën në një telefonatë me Maduron

Muhamet Ramadani

RMV: Rritet numri i krimeve, për tre vjet 49 vrasje

Muhamet Ramadani