Me rënien në sondazhe, kaosi mbetet mjeti i tij i vetëm për të mbajtur karrigen
Rreth dy muaj para zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael, pozita e Benjamin Netanyahut duket më e lëkundur se prej vitesh.
Sondazhet tregojnë një rënie të ndjeshme të Likud, që mund të humbasë rreth një të tretën e mandateve, ndërsa kryeministri izraelit përballet me një opozitë në rritje dhe me vështirësi për të ruajtur koalicionin aktual të së djathtës.
Në këtë klimë, një analizë e publikuar nga “Foreign Policy”, me autor David E.Rosenberg, editorialist ekonomik i edicionit anglisht të “Haaretz”, ngre një hipotezë shumë shqetësuese: Netanyahu mund të tundohet të shfrytëzojë, apo edhe të provokojë, një krizë të re sigurie për të rritur shanset e tij për të mbetur në pushtet.
Likud pritet të marrë 20-23 mandate, duke mbetur ndoshta partia e parë, por me një varësi edhe më të madhe nga aleatët e ekstremit të djathtë. Partia Sionizmi Fetar e Bezalel Smotrich është në rënie,
Ndërkohë Itamar Ben-Gvir ka refuzuar bashkimin e forcës së tij me këtë subjekt, duke komplikuar llogaritë elektorale të Netanyahut. Një problem tjeër për kryeministrin është rritja e Gadi Eisenkot, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, i cili në disa sondazhe arrin të barazojë ose edhe të kalojë Likud.
Pikërisht përballë këtij rivali, Netanyahu mund të përpiqet të rikthejë imazhin e dikurshëm të “zotit të sigurisë”. Sipas analizës së Rosenberg, disa vëzhgues izraelitë nuk përjashtojnë përdorimin e taktikave të ndryshme për të ndikuar klimën zgjedhore.
Këtu përfshihen episode dhune, përdorimi i policisë kundër opozitës, delegjitimimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ose në një skenar ekstrem, pretendimet për “zgjedhje të vjedhura”.
Megjithatë, skenari që konsiderohet më realist është krijimi ose përshkallëzimi i një krize sigurie. Dhe nNuk do të ishte domosdoshmërisht e nevojshme një luftë e madhe.
Mjafton një përplasje ushtarake që gradualisht të dilte jashtë kontrollit, duke i dhënë Netanyahut mundësin të paraqitej si lideri i vetëm i aftë për të menaxhuar një emergjencë kombëtare.
Sipas analizës, një sinjal i mundshëm i kësaj strategjie mund të ketë qenë sulmi i 18 gushtit ndaj bazës ajrore Abu al-Duhur në Siri.
Avionët izraelitë goditën objektivin, ndërsa Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e justifikuan operacionin si një paralajmërim për Turqinë, pas raportimeve për një vizitë të delegacionit ushtarak turk në bazë.
Në frontin iranian, hapësira e manovrimit e Netanyahut duket më e kufizuar për shkak të presionit të Uashingtonit. Edhe në Gaza dhe Liban, ku SHBA-ja ka ndërhyrë për ruajtjen e armëpushimeve, mundësitë për një konflikt të ri të madh janë të kufizuara.
Pikërisht për këtë arsye, analiza e “Foreign Policy” e identifikon Bregun Perëndimor si zonën më të rrezikshme. Dhuna e kolonëve ekstremistë është rritur ndjeshëm dhe në disa raste, është drejtuar edhe kundër ushtarëve izraelitë.
Vetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, ka pranuar se situata po del jashtë kontrollit. Qeveria Netanyahu akuzohet se nuk po vepron me vendosmëri, ndërsa e djathta fetare e sheh klimën aktuale si një mundësi për të përshpejtuar zgjerimin e kolonive dhe kontrollin territorial.
Në skenarin më ekstrem, nëse situata e sigurisë do të përkeqësohej ndjeshëm, Netanyahu mund të përpiqej të përdorte emergjencën për të shtyrë zgjedhjet.
Ligji izraelit parashikon mundësi të kufizuara për një veprim të tillë, megjithëse kërkohet një shumicë e kualifikuar në Knesset dhe realizimi i këtij skenari konsiderohet i vështirë.
Megjithatë, pyetja që ngre “Foreign Policy” mbetet shqetësuese: deri ku mund të jetë i gatshëm të shkojë Benjamin Netanyahu, përballë rrezikut të humbjes së pushtetit? tesheshi

