Si zakonisht Rama e shpjegoi lëvizjen me eufemizma
Besfort Lamallari largohet nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, ndërsa në vend të tij Edi Rama ka vendosur Ervin Demon, deri tani ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Lëvizja përbën ndryshimin e radhës në kabinet dhe jep sinjale se kryeministri po zgjedh ta riformatojë qeverinë gradualisht, në vend të një ndryshimi në bllok, siç ishte raportuar në fund të gushtit.
Rama njoftoi se Lamallari nuk largohet nga ekipi qeverisës, por do të kalojë në Kryeministri, ku do të vijojë angazhimin pranë tij. Ndërkohë, me emërimin e Demos, çështjet e pushtetit vendor do të integrohen në strukturën e Ministrisë së Brendshme.
“Sot kam vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë”, tha Rama, duke shpjeguar se Demo do të mbulojë punët e brendshme, ndërsa kompetencat për pushtetin vendor do të përfshihen në strukturën e ministrisë.
Ervin Demo ka drejtuar Bashkinë e Beratit për gjashtë vite, nga 2019 deri në 2025, përpara se të emërohej ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor në shtator të vitit të kaluar. Tashmë ai merr drejtimin e një prej ministrive kryesore të kabinetit, me një fushë përgjegjësish të zgjeruar.
Lamallari, i cili mori detyrën e ministrit të Brendshëm në mars 2026, pas një periudhe si ministër i Drejtësisë, e falënderoi Ramën për besimin dhe konfirmoi se do të vijojë punën në Kryeministri. Ai tha se gjatë 10 viteve në ekipin e kryeministrit është rritur profesionalisht dhe se synon të vazhdojë të jetë pjesë e punës së qeverisë.
Ndryshimi në Ministrinë e Brendshme vjen pak ditë pas largimit të Evis Salës nga Ministria e Shëndetësisë dhe emërimit të Klodiana Spahiut në vend të saj.
Nëse në fund të gushtit flitej për një riformatim më të gjerë të kabinetit, lëvizjet e fundit tregojnë një tjetër qasje: Rama duket se po ndërhyn ministri pas ministrie, duke testuar ndryshimet në mënyrë të kontrolluar dhe pa prodhuar një tronditje të menjëhershme në të gjithë qeverinë. /tesheshi

