Një precedent që përmbys misionin e bluzave të bardha
Rasti i një pacienteje me sëmundje terminale në Itali ka hapur një debat të fortë mbi kufijtë e mjekësisë, etikës dhe vullnetit për të jetuar. Dhjetë mjekë të ASL Roma 1 po hetohen pasi nuk lejuan një paciente të ndiqte procedurën e vetëvrasjes së asistuar.
Rasti po shqyrtohet nga Gjykata e Romës, ndërsa më 16 dhjetor pritet të vendoset nëse mjekët do të dërgohen apo jo për gjykim.
Ndaj tyre janë ngritur akuza për refuzim dhe moskryerje të detyrave zyrtare, dhunë private dhe torturë. Bëhet fjalë për rastin e Sibilla Barbierit, shkrimtare dhe regjisore 58-vjeçare, e cila vuante nga një sëmundje terminale onkologjike dhe në vitin 2023 udhëtoi drejt Zvicrës, ku i dha fund jetës përmes vetëvrasjes së asistuar.
Në Itali, vetëvrasja e asistuar u bë e lejueshme pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2019, por vendi ende nuk ka një ligj të plotë kombëtar që rregullon procedurën.
Gjykata ka përcaktuar disa kushte, ndër të cilat sëmundja e pakthyeshme, vuajtjet e konsideruara të patolerueshme nga pacienti, aftësia për të marrë vendime të lira dhe të ndërgjegjshme dhe, sipas interpretimit fillestar, mbajtja gjallë përmes trajtimeve të mbështetjes jetësore.
Pikërisht ky kriter u bë pengesë për Barbierin. ASL Roma 1 refuzoi kërkesën e saj, duke argumentuar se ajo nuk mbahej gjallë nga aparatura të tilla si ventilatorët mekanikë. Por ajo merrte trajtime farmakologjike dhe përdorte oksigjen përmes kanjulave nazale.
Në vitin 2024, Gjykata Kushtetuese e zgjeroi interpretimin e konceptit të “trajtimeve të mbështetjes jetësore”, duke përfshirë edhe trajtime mjekësore, ndërprerja e të cilave mund të çojë në vdekjen e pacientit.
Barbieri e konsideroi vendimin diskriminues, dhe pasi nuk arriti të realizonte kërkesën e saj në Itali, shkoi në Zvicër e shoqëruar nga djali dhe aktivistë të shoqatës Luca Coscioni. Familja më pas kërkoi përgjegjësi për mënyrën se si ishte trajtuar rasti.
Por përtej betejës juridike, ky rast ngre një pyetje shumë më të thellë: a mund të shndërrohet e drejta për të mos e vrarë një njeri në një detyrim për ta ndihmuar atë të vdesë?
Për traditat kryesore fetare, përgjigjja është e qartë. Në Kuran thuhet: “Mos e vrisni veten tuaj” (Kurani, 4:29). Në të njëjtën frymë, Bibla përcakton në Dhjetë Urdhërimet: “Mos vra” (Eksodi 20:13), ndërsa në Besëlidhjen e Re trupi i njeriut përshkruhet si tempull i Frymës së Shenjtë dhe si diçka që i përket Zotit (1 Korintasve 6:19-20).
Këto tekste janë interpretuar tradicionalisht si kundërshtim ndaj vetëvrasjes dhe marrjes së qëllimshme të jetës njerëzore. Në këtë këndvështrim, jeta nuk është thjesht një e drejtë individuale që mund të disponohet sipas dëshirës, por një dhuratë me vlerë morale dhe hyjnore.
Rasti italian e vendos mjekësinë përballë një dileme të pazakontë: mjeku që dikur kishte për detyrë të shpëtonte jetën, sot mund të përballet me hetime sepse nuk ka lejuar që pacienti të përshpejtojë vdekjen.
Dhe pikërisht këtu debati nuk është më vetëm juridik, por prek vetë kuptimin e jetës, përgjegjësinë e mjekut dhe kufirin mes autonomisë njerëzore dhe parimeve etike e fetare. tesheshi

