RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

20 familje pushtuese izraelite zaptojnë tokë në Luginën e Jordanit

20-familje-pushtuese-izraelite-zaptojne-toke-ne-luginen-e-jordanit

Njëzet familje pushtuese izraelite kanë zaptuar tokë në Luginën e Jordanit, në pjesën lindore të Bregut Perëndimor të pushtuar, ndërsa Izraeli vazhdon të zgjerojë vendbanimet e paligjshme në territorin palestinez, transmeton Anadolu.

Pushtuesit janë zhvendosur sot në ngulimin e sapokrijuar bujqësor Bitron, i cili është përuruar para Vitit të Ri hebraik më 12 shtator, raportoi televizioni izraelit Kanali 12.

Bitron është një nga 13 kolonitë që Kabineti i Sigurisë i Izraelit i miratoi vitin e kaluar për t’i ndarë nga vendbanimet e paligjshme fqinje, si hap drejt njohjes së tyre si vendbanime të pavarura.

Kanali 12 e përshkroi Bitronin si ngulimi i parë bujqësor i krijuar nga Izraeli në rreth 20 vjet.

Më 23 mars 2025, ministri i Financave, Bezalel Smotrich njoftoi se Kabineti i Sigurisë kishte miratuar propozimin e tij për të ndarë 13 vendbanime kolone në Bregun Perëndimor, përfshirë Bitronin, nga vendbanimet kolone fqinje.

“Një hap tjetër drejt normalizimit të vendbanimeve”, tha në atë kohë Smotrich, duke shtuar se 13 vendbanimet e reja kolone do të njiheshin si të pavarura.

Organizata izraelite “Paqe Tani” (Peace Now), e cila monitoron vendbanimet ilegale tha se vendimi e ka rritur numrin e vendbanimeve të njohura nga Izraeli nga 127 në 140 dhe shtoi se këto zona nuk janë thjesht lagje të kolonive ekzistuese.

Kanali 12 tha se krijimi i Bitronit është pjesë e një projekti izraelit të nisur pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023, që synon krijimin dhe forcimin e vendbanimeve të paligjshme përgjatë asaj që Izraeli e konsideron kufirin e tij lindor.

Sipas shifrave të publikuara nga Komisioni Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit në mars 2025, 136 ngulime bujqësore dhe baritore, të përqendruara kryesisht në Luginën e Jordanit dhe shpatet lindore të Bregut Perëndimor, kontrollojnë më shumë se 48 mijë hektarë tokë.

Sipas komisionit, kjo sipërfaqe është rreth tri herë më e madhe se sipërfaqja e përgjithshme e ndërtuar e kolonive ekzistuese izraelite.

OKB-ja i konsideron të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze dhe ka paralajmëruar vazhdimisht se zgjerimi i tyre dëmton perspektivat për zgjidhje me dy shtete.

Related posts

Mbyllen 26 motele dhe villa

Kushtrim Guraj

Hamasi paralajmëron kundër përpjekjeve për “riformësimin” e Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve

admin

Zjarret në pyje vazhdojnë të kërcënojnë Europën Jugore

admin