Raportet e reja të Pentagonit: Lufta me fundit amerikanë në Lindjen e Mesme kushtoi 35.7 miliardë dollarë
Një raport i ri nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së tregon se lufta me Iranin ka pasur pasoja serioze për infrastrukturën ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Edhe pse Pentagoni pretendon se objektivat strategjikë të operacionit u arritën, analiza zbulon probleme të mëdha me të cilat u përballën forcat amerikane gjatë dhe pas konfliktit – nga bazat e shkatërruara dhe pajisjet e humbura deri te sfidat e mëdha logjistike.
Një nga problemet më të mëdha për ushtrinë amerikane ishte sulmi ndaj infrastrukturës detare në Bahrein, ku ndodhej qendra rajonale e komandës së Marinës Amerikane. Sipas raportit, shkatërrimi i objektit ka ndërprerë rëndë operacionet detare amerikane në rajon. Sekretari në detyrë i Marinës, Hung Cao, përshkroi së fundmi shkallën e sulmit duke thënë se Irani e kishte “hedhur plotësisht në erë” bazën, raporton CNN.
Zyra mbikëqyrëse e Pentagonit thotë se shkatërrimi i qendrës detare në Bahrein krijoi “sfida të rëndësishme” në krijimin e një numri të mjaftueshëm bazash detare dhe portesh logjistike të nevojshme për të mbështetur operacionet amerikane. Si rezultat, Uashingtoni u detyrua të ridrejtonte një pjesë të logjistikës së tij detare në ishullin e largët të Diego Garcia në Oqeanin Indian, mijëra kilometra larg zonës kryesore të konfliktit.
Zhvendosja e qendrës logjistike në Diego Garcia ka sjellë probleme të reja. Ciklet e furnizimit, të cilat më parë ishin dukshëm më të shkurtra për shkak të afërsisë së bazave në Lindjen e Mesme, janë zgjatur në 14 deri në 18 ditë. Kjo do të thotë se forcave amerikane u janë dashur pothuajse dy deri në tre javë për procese të caktuara të shpërndarjes së pajisjeve, karburantit dhe furnizimeve të tjera, të cilat penguan ndjeshëm fleksibilitetin e operacioneve ushtarake.
Raporti tregon kështu se pasojat e sulmeve iraniane nuk u kufizuan vetëm në shkatërrimin fizik të objekteve, por ndikuan edhe në mënyrën se si SHBA-të mund të veprojnë në një nga rajonet më të rëndësishme strategjike të botës. Përveç problemeve me infrastrukturën detare, ushtria amerikane pësoi edhe humbje të mëdha në pajisje. Sipas raportit, deri në 30 dronë MQ-9 Reaper u shkatërruan ose u dëmtuan, shkruan AP, vlera e të cilëve vlerësohet në rreth 30 milionë dollarë secili. Këto janë sisteme që luajnë një rol kyç në mbikëqyrje, zbulim dhe sulme precize.
Forcat amerikane humbën gjithashtu shtatë avionë furnizimi me karburant KC-135, të cilët mundësojnë operacione ajrore afatgjata në distanca të gjata. Humbja e këtyre avionëve i ndërlikoi më tej planet ushtarake amerikane, sepse ato janë asete që nuk mund të zëvendësohen shpejt. Konflikti vrau 12 ushtarë amerikanë, ndërsa shumë anëtarë të forcave të armatosura u përfshinë në mbrojtjen e bazave, rindërtimin e infrastrukturës dhe operacionet e krizës. Pasojat e luftës u ndjenë edhe nga shërbimet diplomatike amerikane. Disa objekte të Departamentit të Shtetit u dëmtuan dhe SHBA-të duhej të organizonin evakuimin e rreth 9,000 qytetarëve të tyre nga zonat e prekura nga konflikti.
Kostoja financiare e luftës ishte gjithashtu e madhe. Sipas vlerësimeve në raport, operacionet amerikane në lidhje me konfliktin arritën në rreth 37.5 miliardë dollarë. Kjo shumë përfshin kostot e vendosjes së trupave, mirëmbajtjes së operacioneve, riparimeve, zëvendësimit të pajisjeve të dëmtuara dhe rregullimeve logjistike. Pentagoni thekson se forcat amerikane nuk e kanë humbur aftësinë e tyre për të vepruar dhe se industria ushtarake mund të kompensojë disa nga kapacitetet e humbura. Administrata amerikane vazhdon të pretendojë se fushata ushtarake ka arritur qëllimet e saj.
Irani, pavarësisht se ka fuqi ushtarake konvencionale dukshëm më të dobët se SHBA-të, ka arritur të godasë pikat kyçe në sistemin ushtarak amerikan dhe t’i imponojë kosto të rënda Uashingtonit. Konflikti ka treguar se sa shumë varet lufta moderne nga logjistika. Edhe ushtria më e përparuar në botë mund të jetë e cenueshme kur një kundërshtar arrin të prishë zinxhirët e furnizimit të saj, të shkatërrojë objektet kyçe dhe ta detyrojë atë të zhvendosë bazat mijëra kilometra larg. /tesheshi.com/

