Ngjarja në ujërat e liqenit Uilliston në Kanada
Një ishull që shfaqet dhe zhduket, ndërsa lëviz nëpër ujë sikur të ishte “i gjallë”. Jo, nuk bëhet fjalë për inteligjencë artificiale, por për një fenomen natyror sa misterioz aq edhe fascinues, i vërejtur në liqenin Uilliston, një rezervuar artificial prej rreth 1.800 kilometrash katrorë në British Kolumbia të Kanadasë.
Ishulli lundrues, i mbuluar me pemë dhe bimësi që duken në gjendje të mirë, është parë duke lëvizur në pika të ndryshme të rezervuarit. Përmasat e tij janë të jashtëzakonshme: rreth 140 metra gjatësi dhe 70 metra gjerësi, ose afërsisht 10 mijë metra katrorë.
Pamjet e para u regjistruan në fillim të gushtit nga disa persona që lundronin në zonë dhe shumë shpejt u shpërndanë në rrjetet sociale. Një prej tyre ishte banori i zonës Rocky Avery, i cili, pasi mori informacion nga një lundërtar, kontaktoi kompaninë BC Hydro, përgjegjëse për administrimin e liqenit dhe digës W. A. C. Bennett.
Në fillim, kompania i priti me skepticizëm raportimet. Arsyeja ishte e thjeshtë: në një kohë kur imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale janë gjithnjë e më të besueshme, nuk ishte e lehtë të besohej se një ishull i tillë mund të ekzistonte vërtet.
Por pamjet satelitore e konfirmuan fenomenin. BC Hydro analizoi imazhet e Sentinel-2, misioni i përbashkët i Agjencisë Evropiane të Hapësirës dhe Komisionit Evropian. Sipas të dhënave, më 21 korrik, përpara se fotografitë të përhapeshin në rrjetet sociale, një sipërfaqe e re toke ishte shfaqur në perëndim të gjirit Finlay, rreth 100 kilometra nga diga.
Më 5 gusht, ajo nuk ndodhej më në atë pozicion, duke dëshmuar se masa ishte zhvendosur brenda rezervuarit. Më pas, sipas një përditësimi të publikuar nga Avery, ishulli u shfaq sërish pranë zonës së Ospika.
Shpjegimi shkencor është më pak misterioz sesa duket. Formacione të tilla lundruese, të mbuluara me bimësi, janë dokumentuar edhe në rezervuarë të mëdhenj artificialë në Amerikën e Veriut, Afrikë dhe rajone të tjera.
Ato krijohen kur rritja e nivelit të ujit shkëput pjesë të tokës dhe të vegjetacionit nga brigjet. Në rastin e liqenit Uilliston, situata lidhet me faktin se këtë vit rezervuari arriti kapacitetin maksimal për herë të parë pas 14 vitesh.
Rritja e nivelit të ujit ka ngritur masën e grumbulluar ndër vite përgjatë brigjeve, ku kishin zënë rrënjë pemë dhe bimë. E shkëputur nga toka, kjo masë ka nisur të lundrojë dhe të zhvendoset nën ndikimin e erës.
BC Hydro nuk raporton aktualisht ndonjë rrezik të veçantë për lundrimin apo infrastrukturën e digës. Megjithatë, për të kuptuar më mirë se çfarë fshihet poshtë këtij ishulli “të gjallë”, në ditët në vijim pritet të zhvillohet një ekspeditë nënujore. tesheshi

