RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ukraina: Ekipet po punojnë për të organizuar takim mes Trumpit dhe Zelenskyyt në OKB

ukraina:-ekipet-po-punojne-per-te-organizuar-takim-mes-trumpit-dhe-zelenskyyt-ne-okb

Ekipet amerikane dhe ukrainase po punojnë për të organizuar një takim mes presidentëve Volodymyr Zelenskyy dhe Donald Trump në margjinat e javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më vonë këtë muaj, transmeton Anadolu.

“Mund të them se ekipet aktualisht po punojnë vërtet për mundësinë e një takimi të tillë mes presidentëve të Ukrainës dhe SHBA-së, për agjendën e tij dhe, çka është thelbësore, që ai të jetë sa më përmbajtësor”, tha në një konferencë për media zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi.

Ai tha se Zelenskyy do të zhvillojë takime të ndryshme dypalëshe gjatë vizitës së delegacionit ukrainas në New York për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Tykhyi konfirmoi se vizita e Zelenskyyt do të përfshijë patjetër një komponent SHBA-Ukrainë, me mundësi për kontakte me përfaqësues të Kongresit, si dhe me qarqet e biznesit dhe komunitetin ukrainas në SHBA.

“Pra, natyrisht, agjenda është shumë më e gjerë”, tha ai.

Sesioni i 81-të i Asamblesë së Përgjithshme u hap sot në New York, ndërsa java e nivelit të lartë pritet të fillojë të premten dhe të zgjasë deri më 28 shtator.

Në fillim të këtij muaji, Tykhyi tha se ishte arritur një marrëveshje paraprake për një takim ballë për ballë mes presidentëve ukrainas dhe amerikan në fund të shtatorit, duke e përshkruar sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si një nga vendet e mundshme për zhvillimin e tij.

Ndërkohë, Zelenskyy, pas takimit me të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Kiev më 8 shtator, tha se pret të takohet me homologun e tij amerikan në fund të shtatorit, takim në të cilin do të ngrinte nevojat e Ukrainës për “paketa balistike”.

Related posts

Kolonët hebrenj bllokojnë hyrjet në qytetet Ramallah dhe Al-Bireh

Muhamet Ramadani

Britania dhe Katari japin 11.2 milionë dollarë ndihmë për refugjatët Rohingya

admin

Ishte me pushime në Korfuz, humb jetën 44-vjeçari serb! 5 pako me drogë iu gjetën në stomak

admin