PS rrëzon kërkesën për ngritjen e një komisionit metimor për kompaninë KAYO dhe Ron Yeffet
Mazhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e kompanisë shtetërore KAYO, pas së cilës është emri i një izraeliti famëkeq, mik i Ramës, me pretendimin se nuk plotëson kriteret.
Kërkesa u diskutua në Konferencën e Kryetarëve, ku kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, paraqiti argumentet e opozitës dhe kërkoi hetimin parlamentar të kontratave, përdorimit të fondeve publike dhe aktivitetit të kompanisë. Në qendër të debatit janë 34 milionë euro që KAYO ka shpenzuar nga buxheti i shtetit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkoi gjithashtu sqarimin e marrëdhënieve të kompanisë me biznesmenin Ron Yeffet.
“Kompania KAYO ka shpenzuar 34 milionë euro. Çdo shqiptar do të duhet të dijë se si i mori ato para miku i Edi Ramës, Ron Yeffet”, deklaroi Bardhi në mbledhjen me dyer të mbyllura.
Bardhi pretendoi se institucionet kanë dhënë deklarata kontradiktore për aktivitetin e KAYO-s. Sipas tij, ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se kompania ka prodhuar dhe shitur armë.
“Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yeffet, mik i Kryeministrit”, tha Bardhi.
Ai iu referua edhe audiopërgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku janë ngritur pretendime për trafik armësh. Bardhi kërkoi që komisioni parlamentar të verifikonte edhe këto pretendime.
“E vërteta është që individi Ron Yeffet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta”, deklaroi Bardhi.
Një tjetër pikë e përplasjes lidhet me dokumentacionin e KAYO-s. Bardhi tha se opozita i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes informacion për kontratat dhe aktivitetin e kompanisë, por ministria nuk ia ka vënë në dispozicion.
“Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit. Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentet?”, tha ai.
Sipas Bardhit, komisioni do t’i jepte opozitës mundësinë të kërkonte zyrtarisht kontratat e lidhura nga kompania shtetërore dhe dokumentacionin për marrëdhëniet me subjektet private.
“Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yeffet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm gjashtë muaj 34 milionë euro?”, deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se opozita pranonte të negocionte formulimin e objektit të hetimit, por jo ngritjen ose jo të komisionit.
“Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit”, tha Bardhi.
Por nga mazhoranca, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla argumentoi se kërkesa nuk plotëson kriteret për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Sipas arsyetimit të paraqitur, objekti i kërkesës është tepër i gjerë dhe përfshin çështje të ndryshme, pa përcaktuar në mënyrë të qartë faktet konkrete, veprimet apo mosveprimet që duhet të hetohen. Pra, një sofizëm i qartë për ta bërë të pamundur zbardhjen e të vërtetës së aferave të qeverisë shqiptare me një izraelit, ndoshta shumë më tepër se një kodosh paraje. /tesheshi

