RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Zoti është një, por Rama ka shumë adresa…

zoti-eshte-nje,-por-rama-ka-shume-adresa…

Nga Athosi te Muri i Lotëve, besimi si gjuhë e PR-it politik

Edi Rama ka shumë role. Është kryeministër, politikan, artist, piktor, udhëtar, komentues i gjithçkaje dhe, herë pas here, edhe pelegrin.

Tani, pas vizitës në Manastirin e Madh të Vatopaidit, në Malin Athos, ku shkoi bashkë me të birin dhe madje kaloi natën atje, mund të shtojmë edhe një tjetër: vizitor i përhershëm i Zotit, por me një itinerar që ndryshon sipas destinacionit.

Në parim, këtu nuk ka asgjë të keqe. Një krijesë e Zotit, siç jemi të gjithë, mund ta kërkojë kudo atë. Mund të lutet në një kishë katolike, në një manastir ortodoks, apo përballë Murit të Lotëve në Jeruzalem. Mund të besojë shumë ose pak.

Kjo është çështje personale dhe askush nuk ka pse t’i kërkojë llogari një politikani për marrëdhënien e tij intime me fenë. Por Edi Rama ka zgjedhur ta bëjë fenë edhe një çështje publike. Dhe këtu fillon komedia.

Sepse po të hapësh arkivat, gjen një kryeministër që në deklaratat e tij ndër vite e ka përshkruar familjen si një mozaik të të gjitha besimeve.

Në një intervistë të vitit 2015 ai deklaronte se ishte katolik, ndërsa bashkëshortja ishte muslimane dhe dy fëmijët e mëdhenj ortodoksë; për djalin e vogël thoshte se do të vendoste vetë për besimin e tij.

Në një tjetër rast, ai kishte folur për veten në terma agnostikë. Pastaj erdhi Izraeli. Në parlamentin izraelit, Knesset, Rama tha se nuk do të ishte aspak e pabesueshme që djali i tij i vogël një ditë të zgjidhte të konvertohej në Judaizëm, duke përmendur edhe dëshirën për të lënë një shënim te Muri i Lotëve.

Dhe tani, Athosi. Nga Muri i Lotëve te manastiret ortodokse e deri tek Papa në Vatikan, nga fjalimet për harmoninë fetare te projekti për “Shtetin Bektashi”, Rama duket se ka zbuluar një formulë të jashtëzakonshme politike: Zoti është një, por mundësitë e PR-it janë të shumta.

Nëse kjo do të ishte thjesht një marrëdhënie personale me besimin, nuk do të kishte asgjë për të komentuar. Por kur një kryeministër e ekspozon vazhdimisht këtë dimension në publik, me fotografi, vizita, fjalime, bekime dhe simbole fetare, pyetja bëhet e pashmangshme: ku mbaron besimi personal dhe ku fillon marketingu politik?

Sepse besimi fetar nuk është një aksesor protokollar. Për miliona njerëz në Shqipëri dhe miliarda të tjerë në botë, ai është pjesë themelore e identitetit, ndërgjegjes dhe mënyrës se si e kuptojnë jetën.

Nuk është një flamur që ngrihet në një ceremoni dhe paloset në tjetrën, sipas ngjyrave të audiencës. Në rastin e Ramës, ironia bëhet edhe më e madhe sepse ai nuk është thjesht një qytetar që kërkon dhe adhuron Zotin.

Është kryeministri i vendit. Ka drejtuar qeverinë për vite me radhë dhe ka pasur në dorë vendime që prekin jetën e miliona shqiptarëve.

Prandaj, kur përballë tij shfaqen njëri pas tjetrit skandale, akuza, hetime, çështje korrupsioni dhe debate të forta mbi mënyrën se si është qeverisur vendi, fotografitë e një kryeministri në kërkim të dimensionit shpirtëror, nuk mund të jenë tërësisht jashtë debatit publik.

Një kryeministër mund të kalojë natën dhe në një manastir. Mund të lutet në Malin Athos. Mund të ndezë një qiri në një katedrale. Edhe presidenti rus Vladimir Putin bëri diçka të ngjashme në vitin 2016. Mund të shkojë edhe te Muri i Lotëve.

Mund të flasë për harmoninë fetare, për Zotin dhe për tolerancën. Por në fund, fotografitë nga vendet e shenjta, nuk mund të zëvendësojnë atë që qytetarët presin nga një kryeministër: përgjegjësinë për mënyrën se si qeveriset vendi.

Sepse qeverisja nuk matet kurrsesi me numrin e manastireve, katedraleve apo mureve të shenjta që viziton kryeministri. Nëse besimi është i vërtetë, ai duhet të jetë më shumë se një fotografi. Sepse Zoti nuk ka nevojë për PR. Përkundrazi, politika ka gjithmonë…tesheshi

Related posts

Japonia siguron 3.7 milionë dollarë ndihmë për refugjatët e Arakanit në Bangladesh

admin

BE-ja lëshon 2 milionë euro ndihmë pas përmbytjeve shkatërruese në Bangladesh dhe Indi

admin

Shqipëri-Izrael: kontrata miliardere e armëve që “bie erë”

RTI