Ushtria izraelite bombardoi sot periferinë e fshatit Beit Jinn, në zonën rurale perëndimore të Damaskut, pasi hyri në jug të Sirisë me nëntë automjete ushtarake dhe ndaloi një bari në provincën Daraa, raportuan mediat shtetërore siriane, transmeton Anadolu.
Forcat izraelite kryen bombardime me artileri në periferinë e Beit Jinnit, në zonën rurale perëndimore të Damaskut, njoftoi televizioni Alikhbariah. Transmetuesi nuk raportoi për pasojat e bombardimeve ndërsa qeveria siriane nuk ka bërë ende ndonjë koment, pasi më herët ka kërkuar përfundimin e shkeljeve izraelite.
Në një zhvillim të mëhershëm, automjete ushtarake izraelite hynë në zonën Wadi al-Raqad, raportoi televizioni sirian Al-Ikhbariya, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e lëvizjeve të tyre. Transmetuesi më vonë tha se një forcë izraelite ndaloi një bari gjatë inkursionit në Wadi al-Raqad, pa bërë të ditur identitetin e tij.
Wadi al-Raqad ndodhet në zonën e pellgut të Jarmukut, në zonën rurale të Daraas ndërsa muajt e fundit ka qenë dëshmitare e inkursioneve dhe lëvizjeve të përsëritura ushtarake izraelite.
Jugu i Sirisë ka qenë dëshmitar i inkursioneve të përsëritura izraelite që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit më 8 dhjetor 2024, kur Izraeli njoftoi prishjen e Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 dhe pushtoi zonën tampon të Sirisë dhe zona të tjera.
Damasku kërkon që Tel Avivi të tërhiqet në vijat e mbajtura para 8 dhjetorit 2024 dhe ka rikonfirmuar angazhimin e tij ndaj Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974.

