Autonomia institucionale e Kryegjyshatës, tashmë e garantuar me ligj
Ines Angeli Murzaku, Global Catholic
“Në fund të fundit, janë shqiptarët ata që vendosin ose do të vendosin për po ose jo!”, deklaroi Paolo Zampolli, i dërguari special i presidentit Donald Trump për partneritetet globale, gjatë vizitës në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë më 7 shtator.
Deklarata, u prit si një mbështetje politike për idenë, por në vetvete nuk përbën një miratim zyrtar amerikan të projektit për krijimin e një enklave sovrane bektashiane në Shqipëri.
Krahasimi me Vatikanin nuk është vetëm një interpretim i medias. Ai është pjesë e vetë projektit të promovuar nga mbështetësit e tij. Në një konferencë të zhvilluar më 25 janar 2025, me rastin e 95-vjetorit të krijimit të Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri, kryeministri Edi Rama e cilësoi historinë e bektashinjve si një “thirrje imperative” për t’i dhënë Kryegjyshatës një status të ngjashëm me atë të Vatikanit.
Edhe kreu i Urdhrit Bektashi, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi, e ka përmendur Vatikanin si model për organizimin fetar dhe administrativ të komunitetit.
Mbrojtja e lirisë fetare të bektashinjve është një çështje thelbësore. Por krijimi i një shteti të veçantë kërkon një justifikim shumë më të fortë sesa vetë analogjia me Vatikanin.
Komuniteti dhe projekti
Urdhri Bektashi, një traditë mistike e islamit, ka rrënjë të thella në Shqipëri. Teqetë bektashiane luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe dhe në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare.
Pas mbylljes së teqeve në Turqi në vitin 1925, Sali Niazi Dede e zhvendosi qendrën botërore të Urdhrit në Shqipëri në vitin 1930. Një vit më vonë ajo u vendos përfundimisht në Tiranë.
Ashtu si komunitetet e tjera fetare shqiptare, edhe bektashinjtë u përballën me ekzekutime, burgime dhe internime gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës. Sipas Censusit të vitit 2023, rreth 4.8 për qind e 2,4 milionë banorëve të Shqipërisë u deklaruan bektashinj.
Gjatë Samitit për të Ardhmen të Kombeve të Bashkuara, më 22 shtator 2024, Edi Rama e përshkroi shtetin e propozuar bektashi si “një qendër të re të moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore”.
Ndërkohë Baba Mondi, argumenton se sovraniteti do t’i jepte komunitetit një bazë të sigurt për veprimtarinë e tij në mbarë botën, do të mbronte praktikat fetare nga ndërhyrjet dhe do të rriste aftësinë për t’iu kundërvënë ideologjive radikale.
Këto janë objektiva që meritojnë vëmendje, ashtu siç meriton vëmendje kontributi shpirtëror dhe kulturor i bektashinjve në Shqipëri. Por mbetet pyetja nëse sovraniteti territorial është mënyra e vetme për t’i garantuar ato.
Çfarë mbron në të vërtetë Vatikani?
Për të kuptuar kufizimet e analogjisë, duhet parë historia e Vatikanit. Traktati i Lateranit i vitit 1929, i nënshkruar mes Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Italisë, i dha fund të ashtuquajturës Çështje Romake, e cila kishte nisur pas aneksimit të Romës nga Italia në vitin 1870.
Traktati krijoi Shtetin e Qytetit të Vatikanit, jo Selinë e Shenjtë. Neni 2 njohu sovranitetin ndërkombëtar të Selisë së Shenjtë si një atribut të lidhur me vetë natyrën e saj, ndërsa neni 4 parashikonte mosndërhyrjen e qeverisë italiane në territorin e shtetit të ri.
Por këtu qëndron një dallim thelbësor. Selia e Shenjtë kishte ruajtur njohjen ndërkombëtare edhe nga viti 1870 deri në vitin 1929, pavarësisht se nuk kishte një territor sovran. Sovraniteti i Vatikanit, shërbeu për të garantuar pavarësinë e një institucioni ndërkombëtar ekzistues, me një mision kishtar universal.
Kjo histori nuk mund të transferohet automatikisht te projekti bektashi në Shqipëri. Çdo komunitet fetar mund të kërkojë dhe të meritojë mbrojtje, pa pasur nevojë të kopjojë strukturën institucionale katolike.
Prandaj, mbështetësit e projektit duhet të shpjegojnë se cilat kërcënime konkrete do të zhdukeshin përmes sovranitetit territorial, dhe pse nuk do të ishte e mjaftueshme mbrojtja e garantuar nga ligjet shqiptare.
Shtetësia: një ngjashmëri e kufizuar
Kur u pyet nëse besimtarët bektashinj në të gjithë botën do të kishin të drejtë të merrnin shtetësinë e shtetit të ri, Baba Mondi deklaroi se shtetësia do të kufizohej te kleri dhe personat e përfshirë drejtpërdrejt në administrimin e tij, ngjashëm me mënyrën se si funksionon shtetësia në Vatikan.
Ngjashmëria ekziston, por është e kufizuar. Edhe në Vatikan, përkatësia fetare nuk është e njëjtë me shtetësinë. Shtetësia lidhet kryesisht me detyrën, shërbimin ose qëndrimin në territory. Dhe sipas ligjit përkatës të vitit 2011, në raste të caktuara mund të përfshijë edhe bashkëshortët dhe fëmijët.
Deklarata e Baba Mondit nuk sqaron nëse familjarët do të përfitonin nga e njëjta e drejtë, nëse do të kërkohej rezidenca dhe nëse shtetësia do të përfundonte me mbarimin e detyrës.
Çfarë inkurajoi Papa Françesku?
Më 16 janar 2025, Papa Françesku priti një delegacion të kryesuar nga Baba Mondi. Ai vlerësoi miqësinë mes katolikëve dhe bektashinjve dhe e përshkroi komunitetin bektashi, së bashku me myslimanët dhe të krishterët e tjerë, si një “urë pajtimi dhe pasurimi të ndërsjellë”, si në Shqipëri, ashtu edhe mes Lindjes dhe Perëndimit.
Papa kujtoi edhe takime të mëparshme ndërfetare, përfshirë lutjen për paqe në Ballkan në vitin 1993 dhe Ditën Botërore të Lutjes për Paqe në Asizi në vitin 2011. Mesazhi i tij ishte një nxitje për bashkëpunim mes komuniteteve fetare.
Por ai nuk shpalli mbështetje për krijimin e një shteti bektashi. Po ashtu, projekti duhet
të shqyrtohet edhe në dritën e Kushtetutës së Shqipërisë. Më 8 shtator, ish-zëvendëskryeministrja Ermelinda Meksi ngriti një pyetje praktike: si do ta shprehnin qytetarët vullnetin e tyre dhe mbi çfarë informacioni do ta bazonin vendimin?
Para çdo vendimmarrjeje, qytetarët duhet të dinë nëse po u propozohet autonomi institucionale brenda rendit juridik shqiptar apo sovranitet i vërtetë territorial. Duhet të jenë të qarta çështjet e juridiksionit, pronësisë, përgjegjshmërisë publike dhe të drejtave të personave që do të jetojnë apo punojnë në territorin e propozuar.
Po aq e rëndësishme është që garancitë të mos varen nga qeveria e radhës apo nga drejtuesit e ardhshëm të komunitetit fetar. Kushtetuta shqiptare përcakton se sovraniteti i përket popullit, ndërsa Republika është shtet unitar dhe i pandashëm.
Ajo garanton gjithashtu neutralitetin e shtetit në çështjet e fesë dhe barazinë e komuniteteve fetare. Për këtë arsye, mbështetja popullore, sado e rëndësishme, nuk mund të anashkalojë kërkesat kushtetuese.
Çdo ndryshim që do të çonte drejt krijimit të një entiteti shtetëror duhet të kalojë përmes një procesi të vlefshëm kushtetues dhe jo të mbështetet vetëm në deklarata politike.
Edhe Deklarata e Koncilit II të Vatikanit për Lirinë Fetare, Dignitatis humanae, vendos një parim të rëndësishëm: liria fetare buron nga dinjiteti njerëzor dhe jo nga vlerësimi që një qeveri i bën dobisë së një komuniteti fetar.
Një komunitet mund të ketë një status të veçantë juridik, pa cenuar lirinë fetare të të tjerëve. Por statusi i veçantë nuk duhet të shndërrohet në privilegj që dobëson të drejtat e komuniteteve të tjera.
Mbështetja për institucionet bektashiane nuk duhet të nënkuptojë se muslimanët sunitë, katolikët, ortodoksët apo komunitetet e tjera fetare janë më pak të denjë për besimin publik.
Po kështu, mbështetja politike mund të bëhet paradoksalisht një barrë për vetë komunitetin që synon të nderojë, nëse politikanët marrin përsipër të përcaktojnë se kush duhet të jetë udhëheqësi i tij fetar.
Një qendër më e fortë, jo një shtet i ri
Ekzistojnë mënyra të tjera për ta forcuar Kryegjyshatën Botërore Bektashiane pa krijuar një shtet të ri.
Shqipëria mund të garantojë me ligj mbrojtjen e pronës dhe autonominë e qeverisjes së brendshme të Kryegjyshatës, të lehtësojë pelegrinazhet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të mbështesë arkivat, arsimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Këto masa do të duhej të diskutoheshin hapur me përfaqësuesit bektashinj, komunitetet e tjera fetare, ekspertët juridikë dhe banorët që mund të preken nga ndryshimet.
Autonomia fetare, mund të bashkëjetojë me transparencën financiare dhe me përgjegjësi të qarta ligjore për çështjet civile.
Në këtë mënyrë, mbrojtja e një komuniteti fetar nuk do të kërkonte domosdoshmërisht ndryshimin e karakterit territorial të shtetit shqiptar.
Bektashinjtë meritojnë një shtëpi të sigurt, autonomi institucionale dhe një zë ndërkombëtar. Shqipëria mund ta nderojë këtë trashëgimi dhe ta mbrojë këtë autonomi, por pa krijuar një shtet të ri brenda shtetit. tesheshi

