RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Identifikohen tri viktima nga varrezat masive në Zubin-Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

identifikohen-tri-viktima-nga-varrezat-masive-ne-zubin-potok,-i-perkasin-“grupit-te-intelektualeve”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë pranuar tri raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Kurti ka njoftuar se analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, të cilat lidhen me personat e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999.

Sipas Kurtit, rezultatet janë pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur dhe janë përcjellë te Instituti për Mjekësi Ligjore. Familjet e tri viktimave janë njoftuar menjëherë për identifikimin.

“Analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se në ditët dhe javët në vijim priten edhe rezultatet e tjera nga mostrat e dërguara për analizë, duke shprehur shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh.

Kurti ka rikujtuar se më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër, ndërsa ka kërkuar nga faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, që të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve për personat e zhdukur.

Në veçanti, ai ka kërkuar hapjen e arkivave, përfshirë dokumentacionin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën ka thënë se ka kryer masakra në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

Kryeministri ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimet në terren, procesin e identifikimit dhe komunikimin me familjet e personave të zhdukur.

“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur se çështja e personave të zhdukur do të jetë pjesë e agjendës së tij edhe gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara dhe takimeve në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kurti ka përsëritur kërkesën që SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

Related posts

RSF pranon propozimin amerikan për armëpushim humanitar në Sudan

admin

Aksion i policisë në degën e bankës serbe në Leposaviç, sekuestrohen para dhe dokumente

admin

Duke u turrur të verbër drejt greminës! Si tregjet euforike po shpërfillin rreziqet politike në rritje

admin