Forcat paramilitare të Sudanit, të njohura si RSF, njoftuan të enjten se kanë pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim humanitar, duke ofruar një mundësi për pauzë në luftën që po vazhdon prej prillit 2023.
Në deklaratën e tyre, RSF tha se vendimi u mor “në përgjigje të aspiratave të popullit sudanez”, duke shtuar se armëpushimi synon “të lehtësojë pasojat humanitare katastrofike të luftës dhe të sigurojë ndihmë urgjente për civilët.”
Qeveria, e cila është e lidhur me ushtrinë, nuk ka reaguar ende ndaj këtij njoftimi. Më herët gjatë ditës, kreu i ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, deklaroi se forcat e tij “vazhdojnë të luftojnë për të mposhtur armikun” dhe premtoi “hakmarrje për viktimat e sulmeve.”
Një zyrtar saudit konfirmoi për AFP se propozimi i ndërmjetësve parashikon një armëpushim tre-mujor në të gjithë Sudanin, gjatë të cilit do të zhvillohen bisedime në Xhide për një marrëveshje paqeje të përhershme.
Lufta midis ushtrisë dhe RSF ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona persona. Konflikti shpërtheu në prill 2023, pasi të dyja palët – dikur aleate në pushtet – u përplasën për planin e bashkimit të forcave të tyre. /mesazhi

