Saana kërkon një rrugë nga lufta drejt shtetit
Saddam Obaid Yusr Al-Zubaidi, Middle East Monitor
Kriza në Jemen nuk është më thjesht një luftë mes dy palëve. Më shumë se një dekadë konflikti ka lënë pas një shtet të fragmentuar, ekonomi të rrënuar, institucione të dobësuara dhe një shoqëri të lodhur nga lufta.
Me rrezikun e rikthimit të luftimeve, pyetja kryesore është si mund të përfundojë konflikti pa krijuar kushtet për një luftë tjetër.
1. Përfundimi i luftës nuk do të thotë përfundimi i konfliktit
Armëpushimi është vetëm hapi i parë. Ai duhet të shndërrohet në një proces politik, ekonomik dhe të sigurisë, jo në një pauzë gjatë së cilës palët përgatiten për përplasjen e radhës. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar ruajtjen e dialogut, mbrojtjen e civilëve dhe vazhdimin e procesit politik.
2. Shteti duhet të jetë destinacioni
Nuk mund të ketë shtet funksional për sa kohë ekzistojnë qendra të shumta të pushtetit të armatosur jashtë autoritetit shtetëror. Një marrëveshje e qëndrueshme duhet të përcaktojë të ardhmen e forcave ushtarake dhe të armatosura dhe t’i vendosë ato brenda një strukture të unifikuar shtetërore të sigurisë.
3. Huthët dhe zgjedhja e shtetësisë
Lëvizja Huthi, Ansar Allah, është një prej aktorëve kryesorë të konfliktit dhe nuk mund të anashkalohet. Çështja është nëse ajo mund të shndërrohet nga një forcë e armatosur në një aktor politik që vepron brenda institucioneve. Çdo marrëveshje duhet të përcaktojë qartë çështjen e armëve, strukturave të sigurisë dhe garancive politike.
4. Çështja e jugut është pjesë e zgjidhjes
Paqja nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar çështjen e jugut. Forcat dhe komunitetet jugore, kanë aspirata dhe vizione të ndryshme për të ardhmen. Struktura e shtetit, marrëdhënia mes qendrës dhe rajoneve, si dhe ndarja e pushtetit dhe pasurisë, duhet të diskutohen në mënyrë reale dhe gjithëpërfshirëse.
5. Ekonomia është pjesë e paqes
Paqja nuk mund të kufizohet te një marrëveshje politike. Pagesa e pagave, rikthimi i shërbimeve bazë, hapja e rrugëve dhe pikave të kalimit, lehtësimi i tregtisë dhe stabilizimi ekonomik janë pjesë e vetë procesit të paqes. Për qytetarët, fundi i luftës duhet të ndihet edhe në jetën e përditshme.
6. Nuk mund të ketë paqe pa garanci
Përvoja e viteve të fundit tregon se një marrëveshje në letër nuk mjafton. Jemeni ka nevojë për garanci lokale, rajonale dhe ndërkombëtare që do të mbështesin zbatimin e marrëveshjes dhe do të pengojnë rikthimin në luftë gjatë krizës së parë politike. Roli ndërkombëtar duhet të jetë mbështetës, jo të përcaktojë të ardhmen e vendit.
7. Duhet braktisur logjika e fitores dhe humbjes
Sfida më e madhe është pranimi se paqja nuk mund të nënkuptojë domosdoshmërisht fitoren e njërës palë. Huthët, qeveria e njohur ndërkombëtarisht, forcat jugore dhe aktorët e tjerë duhet t’i zhvendosin konfliktet nga fushëbetejat në institucione dhe nga armët te kutitë e votimit.
Rruga drejt zgjidhjes mund të nisë me ndalimin e luftimeve dhe mbrojtjen e civilëve, të vijojë me masa humanitare e ekonomike, marrëveshje për sigurinë dhe më pas me një dialog gjithëpërfshirës për strukturën e shtetit dhe ndarjen e pushtetit.
Procesi duhet të çojë në një periudhë tranzicioni, marrëveshje kushtetuese dhe zgjedhje kur të krijohen kushtet. Jemeni nuk ka nevojë për një tjetër luftë për të provuar se kush është më i fortë.
Ai ka nevojë për një shtet më të fortë se armët. Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e luftës, por krijimi i një sistemi ku askush nuk mund të përcaktojë të ardhmen e vendit me forcën e armëve. /tesheshi

