Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie Bedri Hamza në një konferencë për media.
“Projektligji i dorëzuar sot synon ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike e Kosovës konsideron se çdo institucion i themeluar me ligjet e Republikës së Kosovës duhet të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit, standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe garancitë për një proces të drejtë gjyqësor”, tha Hamza.
Ai tha se përmes kësaj nisme PDK kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duke shqyrtuar me seriozitet dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara.
“PDK do të vazhdojë të ndjekë çdo rrugë demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve të drejtësisë në të gjitha fazat e mëtejshme të procesit”, u shpreh Hamza, në konferncën për media.
Hamza ka sqaruar se çfarë përmban projektligji i propozuar për ndryshimin e Dhomave të Specializuara.
“Specialja, Dhomat e Specializuara nuk mbyllet, por rikthehet mandati për të cilën është krijuar. Projektligji nuk e shuan Gjykatën Speciale, ai përcakton që të merret me pretendimet konkretet për të cilat është krijuar dhe që lidhe me raportin e Dick Martyitt e që janë të specifikuara edhe në amendamentin kushtetues. Për krimet tjera të luftës dhe veprat që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ato pretendime, përgjegjësinë e marrin institucionet e drejtësisë së Kosovës. Nëse një rast nuk i përket juridiksionit të Gjykatës Speciale ai transferohet në Kosovë. Projektligji kërkon më shumë llogaridhënie e më shumë transparencë”, ka sqaruar Hamza.
Ai ka thënë se për nismën ka njoftuar edhe kryetrarët e partive të LVV-së, LDK-së e Aleancës në takimet që ka zhvilluar, duke ju bërë thirrje që ta mbështesin.

