SHBA-ja ka dëbuar më shumë se 25 mijë persona drejt vendeve me të cilat nuk kishin lidhje, në kuadër të marrëveshjeve të arritura nga administrata e Trumpit, thuhet në një hetim të “Forbidden Stories”, transmeton Anadolu.
Që nga marrja e detyrës nga presidenti Donald Trump në janar 2025, administrata e tij ka arritur marrëveshje me 35 vende për pranimin e të ashtuquajturve “shtetas të vendeve të treta”, pra migrantëve të dëbuar nga SHBA-ja drejt vendeve të tjera dhe jo vendeve të origjinës. Detajet e marrëveshjeve kryesisht nuk janë bërë publike.
Sipas hetimit, i cili analizoi të dhëna nga burime të shumta, përfshirë organizatat për të drejtat e migrantëve, deri më 31 gusht të paktën 25.447 persona ishin dërguar në 28 vende në kuadër të kësaj politike. Qeveria amerikane nuk i ka bërë publike këto shifra.
Hetimi, i kryer nga një konsorcium prej 72 gazetarësh nga 26 organizata mediatike në 15 vende, përfshiu më shumë se 100 intervista me persona të dëbuar, zyrtarë qeveritarë, avokatë dhe ekspertë. Dokumentet e brendshme të Departamentit të Shtetit, të siguruara nga “The Washington Post”, një nga anëtarët e konsorciumit, treguan se SHBA-ja planifikonte të shpenzonte të paktën 410 milionë dollarë për arritjen e marrëveshjeve me vendet e treta.
Nga kjo shumë, 81 milionë dollarë ishin parashikuar për qeveritë që nënshkruan marrëveshjet ndërsa mbi 178 milionë dollarë për Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin dhe mbi 123 milionë dollarë për agjencinë e OKB-së për refugjatët. Marrëveshjet kryesisht negociohen nga Zyra për Riemigrim e Departamentit të Shtetit, një strukturë e krijuar në vitin 2025 si pjesë e riorganizimit të departamentit.
Shtëpia e Bardhë, duke iu përgjigjur hetimit, tha se migrantët e dërguar në vendet e treta janë persona, vendet e origjinës së të cilëve refuzojnë t’i pranojnë, përfshirë ata ndaj të cilëve janë lëshuar urdhra dëbimi dhe që kanë kërkuar të mos kthehen në vendet e tyre të origjinës.

