RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Protestat e ndjekin Ramën edhe në SHBA, por diaspora e ka humbur peshën politike të dikurshme

protestat-e-ndjekin-ramen-edhe-ne-shba,-por-diaspora-e-ka-humbur-peshen-politike-te-dikurshme

Shtyllë e lëvizjes kombëtare në fillim të shekullit XX, sot e ndarë sipas kampeve politike të Tiranës.

Vizita e kryeministrit Edi Ramës në Shtetet e Bashkuara nisi në Michigan me një kontrast që shkon përtej një proteste të zakonshme.

Brenda takimit me shqiptarët, kryeministri foli për një Shqipëri që, sipas tij, ka lënë pas mbijetesën dhe është kthyer në një “vend shprese”. Jashtë, protestuesit e pritën me pankarta dhe thirrje kundër tij, mes tyre “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”.

Por episodi në Michigan ngre një pyetje më të gjerë: çfarë peshe ka sot diaspora shqiptare në politikën dhe të ardhmen e Shqipërisë?

Në fillim të shekullit XX, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, organizimet e shqiptarëve të diasporës u kthyen në një faktor të rëndësishëm të çështjes kombëtare.

Gazeta, shoqëri dhe organizata të krijuara nga emigrantët shërbyen si mjete mobilizimi dhe përfaqësimi politik. Vetë dokumentet historike amerikane, dëshmojnë se përfaqësues të kolonive shqiptare në Amerikë dhe vende të tjera morën pjesë në përpjekjet diplomatike për mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë.

Sot panorama duket shumë më ndryshe. Diaspora shqiptare është më e madhe, ekonomikisht më e fuqishme dhe më e integruar në vendet ku jeton, por ndikimi i saj kolektiv mbi Shqipërinë nuk duket në të njëjtin raport me madhësinë e saj.

Përkundrazi, një pjesë e saj shfaqet e fragmentuar përgjatë ndarjeve politike të Tiranës: socialistë dhe demokratë, mbështetës të Ramës dhe mbështetës të opozitës, ku secili grup që shoqëron liderin e vet.

Ky është edhe paradoksi i fjalimit të Ramës në Michigan. Kryeministri foli për diasporën si një “rrjet të madh njerëzish” dhe jo si një “llogari bankare të atdheut”.

Por një diasporë që kufizohet në remitanca, investime, fotografi me politikanët apo mbështetje elektorale periodike, vështirë se mund të shndërrohet në atë forcë strategjike që Shqipëria do të kishte nevojë për dekadat e ardhshme.

Edhe premtimi për një konsullatë në Michigan, ndërsa është një zhvillim institucional, nuk e zgjidh problemin themelor, mungesën e një përfaqësimi të përbashkët të interesave të diasporës përtej partive dhe liderëve të radhës.

Nëse shqiptarët jashtë vendit do të arrinin të ndërtonin një zë politik të pavarur nga partitë tradicionale, panorama do të ishte krejt tjetër.

Jo domosdoshmërisht një parti e mirëfilltë elektorale, por një forcë qytetare e organizuar, me kërkesa konkrete për Shqipërinë, institucionet, ekonominë, drejtësinë dhe zhvillimin.

Në një skenar të tillë, diaspora shqiptare në SHBA, së bashku me atë në Evropë dhe kudo tjetër në botë, do të mund të funksiononte si një “parti e tretë” në kuptimin qytetar. Pesha e saj, do ta detyronte establishmentin politik në Tiranë të llogariste jo vetëm votën, por edhe një shoqëri shqiptare jashtë kufijve që kërkon të ndikojë mbi të ardhmen e vendit.

Megjithatë, sot ajo peshë duket e shpërndarë. Dhe pikërisht kjo e bën më të lehtë që liderët shqiptarë të udhëtojnë në diasporë për të marrë duartrokitje nga mbështetësit e tyre dhe të përballen me protesta nga kundërshtarët, pa u përballur me një zë të tretë, më të madh dhe më të pavarur.

Ky është ndoshta ndryshimi më i madh mes diasporës së dikurshme dhe asaj të sotmes. Atëherë ajo kërkonte të ndërtonte një Shqipëri; sot duket se debaton se cilin krah të Shqipërisë politike duhet të mbështesë. /tesheshi

Related posts

Erdogan: Turqia do të bëhet më e fuqishme për të parandaluar kërcënimin e një grusht shteti tjetër

admin

Kosova dhe Kolumbia nënshkruajnë tri marrëveshje, hiqen vizat për pasaportat diplomatike dhe zyrtare

Kushtrim Guraj

Raportohen sulme izraelite në disa zona të Libanit jugor

Kushtrim Guraj