Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) është qëllimi strategjik kombëtar, raporton Anadolu.
Në Tiranë po zhvillohet takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku Peleshi mbajti një fjalë përshëndetëse.
Kryeparlamentari Peleshi tha se takimi mbahet në një kontekst të rëndësishëm, sipas tij nga njëra anë procesi i zgjerimit të BE-së dhe nga ana tjetër kompleksiteti gjeopolitik.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi ynë strategjik kombëtar, destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon dhe si rrjedhim, prioriteti numër një i Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Peleshi.
Ai theksoi se BE-ja mbetet faktor dhe garanci e pazëvendësueshme për zhvillimin, stabilitetin dhe sigurinë.
Takimi është drejtuar nga dy bashkëkryetarët, kryetari i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla dhe kryetari i delegacionit të BE-së, Marco Tarquinio.
Qëllimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri janë shqyrtimi i të gjitha aspekteve të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

