Pretendime si ajo e Vlora Hysenit ndaj Klodiana Lalës kërkojnë prova, transparencë dhe verifikim
Ajo që ndodhi sot mes ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe gazetares Klodiana Lala nuk duhet parë thjesht si një përplasja televizive e radhës. Akuza për takime me agjentë të huaj është e një natyre krejt tjetër, e pikërisht për këtë arsye, kërkon sqarim serioz.
Nëse një gazetare që ushtron profesionin e informimit publik, akuzohet se ka zhvilluar takime me persona të identifikuar si agjentë të një shërbimi të huaj, pyetjet janë të pashmangshme: Kush ishin këta persona? Në çfarë rrethanash u zhvilluan takimet? Për çfarë arsye?
A ekzistojnë të dhëna të verifikueshme për këto kontakte dhe a kanë ato ndonjë lidhje me veprimtari të ndikimit apo të mbledhjes së informacionit?
Kjo nuk do të thotë se një takim me një shtetas të huaj e bën automatikisht një gazetar bashkëpunëtor të një shërbimi inteligjent. Gazetarët takojnë burime, diplomatë, politikanë, biznesmenë dhe persona nga vende të ndryshme.
Por për shkak se akuzat janë kaq të rënda, pavarësisht kontekstit apo synimit, ato nuk mund të lihen pezull, mes një replike dhe një kundërakuze. Madje problemi merr një tjetër përmasë, nëse vendoset në një kontekst tjetër, atë të luftës moderne të informacionit.
Informimi dhe dezinformimi janë, në një farë mënyre, “binjakë siamezë” të së njëjtës fushë. I pari synon t’i japë publikut informacion të besueshëm; i dyti përpiqet të ndikojë perceptimin e tij përmes informacionit të rremë, të manipuluar, të pjesshëm ose të nxjerrë jashtë kontekstit.
Këtu shfaqet ajo që quhet “zona gri”, një hapësirë ku shtetet rivale nuk përballen domosdoshmërisht drejtpërdrejt, por përpiqen të ndikojnë te opinionet, institucionet, mediat dhe proceset politike të vendeve të tjera.
Për shtetet fqinje, kjo hapësirë mund të jetë veçanërisht e ndjeshme. Në këtë kontekst, media mund të jetë një kanal informimi, por edhe një objektiv i mundshëm i operacioneve të ndikimit.
Një shërbim inteligjent mund të kërkojë të krijojë marrëdhënie me persona që kanë qasje në informacion, të ndikojë narrativat publike ose thjesht të kuptojë më mirë klimën politike dhe institucionale të një vendi.
Kjo nuk do të thotë se media shqiptare është e infiltruar nga shërbimet e huaja. Një përfundim i tillë kërkon prova. Por po aq e papërgjegjshme do të ishte që çdo pretendim për ndërhyrje të huaj, të konsiderohej automatikisht i pavërtetë.
Prandaj, akuza të tilla duhet të sqarohen, pavarësisht se kush i bën dhe ndaj kujt drejtohen. Nëse janë të pavërteta, duhet të rrëzohen me fakte. Nëse ekzistojnë elemente konkrete, ato duhet t’u nënshtrohen verifikimeve institucionale.
Nëse bëhet fjalë për takime normale profesionale, edhe kjo duhet të bëhet e qartë. Në të kundërt, krijohet një situatë ku publiku dëgjon vazhdimisht për “agjentë”, “lidhje të fshehta” dhe “ndikime të huaja”, por nuk mëson kurrë se cilat janë faktet.
Dhe pikërisht kjo mjegullnajë është terreni ku lulëzon dezinformimi. Për këtë arsye, diskutimi për një lloj “vettingu” në media nuk duhet të nënkuptojë kontroll politik mbi gazetarët.
Ai duhet të nënkuptojë më shumë transparencë mbi konfliktet e interesit, financimet, marrëdhëniet profesionale dhe kontaktet që mund të krijojnë varësi apo ndikim.
Në një epokë ku lufta zhvillohet jo vetëm në kufij, por edhe në ekrane, rrjete sociale dhe hapësirën informative, informacioni është pjesë e sigurisë kombëtare.
Prandaj, çdo akuzë për përdorimin e medias nga agjentura të huaja duhet ose të provohet, ose të rrëzohet. Por mbetja në një gjendje pezullie, mes një deklarate televizive dhe një kundërdeklarate, është skenari më i keq.
Sepse në “zonën gri”, mjegulla nuk është thjesht mungesë informacioni. Ndonjëherë, mjegulla është vetë arma që përdor armiku. tesheshi

