Nga revolta kundër Moskës te presioni ndaj Brukselit
Në janarin e vitit 1991, një Edi Rama i ri qëndronte në anën tjetër të historisë. Në ditët kur komunizmi po shembej, ai u shfaq publikisht kundër regjimit dhe mes deklaratave të tjera, tha një fjali që mbeti në kujtesën e asaj kohe: “Diktatura komuniste na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë dhe na nxiu si shqiptarë!”.
Tridhjetë e gjashtë vjet më vonë, ironia është e jashtëzakonshme. I njëjti Ramë, tashmë kryeministër prej më shumë se një dekade, u kërkon europianëve të mos i lënë vendet kandidate të shkojnë “te gangsteri rus” apo të luajnë me “lodra kineze”.
Në pamje të parë, kjo është një deklaratë e fortë në mbështetje të orientimit europian të Shqipërisë. Por problemi është se Rama sot nuk flet më si intelektuali që përballej me një sistem, por si kryeministri i një vendi që prej vitesh premton reforma, ndërsa çdo javë përballet me skandale, kriza institucionale dhe pikëpyetje të rënda mbi mënyrën e qeverisjes.
Rama kërkon që BE-ja të marrë tani vendimet politike për zgjerimin dhe kriteret të vlerësohen më pas. Por anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një shpërblim për retorikën gjeopolitike. Ai lidhet me sundimin e ligjit, institucionet, luftën kundër korrupsionit dhe përmbushjen e standardeve.
Edhe metafora e “shtatë fëmijëve” të Ursula von der Leyen, të cilët sipas Ramës “u rritën rreth tavolinës”, nuk e ndryshon aspak thelbin e problemit. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm të ftohet në tryezë. Ajo duhet të dëshmojë se institucionet e saj janë europiane.
Dhe këtu qëndron paradoksi i madh i Ramës. Dikur thoshte se komunizmi na kishte “skuqur” përmes aleancës me Bashkimin Sovjetik dhe “zverdhur” përmes miqësisë që pasoi me Kinën. Sot përdor pikërisht frikën nga Rusia dhe Kina për t’i kërkuar Europës ta afrojë Shqipërinë më shpejt.
Në parim, s’ka asgjë të keqe të mbrosh orientimin europian. Përkundrazi, ajo është një zgjedhje strategjike e Shqipërisë. Por BE-ja nuk mund të shndërrohet në skenografi për ambicien personale të një kryeministri që vetë ka pranuar se dëshiron të hyjë në histori duke e futur vendin në bllok.
Evropa nuk është dekor për historinë personale të Edi Ramës. Dhe Shqipëria nuk është pronë e askujt. Prandaj, pas 36 vitesh, kontrasti është shumë i hidhur: Rama i vitit 1991 kërkonte të çlironte Shqipërinë nga hijet e Moskës dhe Pekinit. Ndërsa ai i vitit 2026 kërkon që Brukseli ta fusë Shqipërinë sa më shpejt në tryezë, ndërsa vetë përdor një gjuhë presioni që të kujton gjithnjë e më shumë lojën e Aleksandër Vuçiçit mes Lindjes dhe Perëndimit.
Megjithatë, historia nuk shkruhet vetëm me fjalime. Dhe sidomos jo me fjalimet e atyre që dikur luftonin kundër një sistemi dhe sot kërkojnë nga Europa t’u hapë derën sa më shpejt edhe pse nuk po i plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara. tesheshi

