RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Netanyahu i kërkon presidentit të Emirateve të “mohojë” raportimin për paralajmërimin e 7 tetorit gjatë vizitës secrete

netanyahu-i-kerkon-presidentit-te-emirateve-te-“mohoje”-raportimin-per-paralajmerimin-e-7-tetorit-gjate-vizites-secrete

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, gjatë një takimi sekret të dielën, të mohojë një raport sipas të cilit ai e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të afërt të Hamasit para 7 tetorit të vitit 2023, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, e cila citoi burime të paidentifikuara, Netanyahu i kërkoi bin Zayed-it të mohonte raportimet lidhur me bisedën e tyre telefonike dhe detajet rreth ngjarjeve para 7 tetorit, të cilat “mund ta vënë atë në siklet”.

Kryeministri izraelit gjithashtu i kërkoi presidentit të Emirateve atë që një burim e përshkroi si “mbështetje morale”.

Sipas dy personave të informuar për udhëtimin, Netanyahu zhvilloi një takim njëorësh me bin Zayed-in.

Autoritetet izraelite dhe ato të Emirateve nuk e kishin konfirmuar zyrtarisht vizitën e raportuar.

Raportimi erdhi në mes të polemikave lidhur me një seri zbulimesh mediatike për paralajmërimet e inteligjencës që, sipas pretendimeve, Netanyahu kishte marrë përpara sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023.

Të premten, The New York Times raportoi se Netanyahu kishte marrë një paralajmërim konfidencial nga presidenti i Emirateve para sulmit të Hamasit, por nuk ua kishte përcjellë atë drejtuesve të shërbimeve të sigurisë së Izraelit.

Netanyahu ka drejtuar qeverinë aktuale të Izraelit që nga fundi i vitit 2022. Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Që nga 8 tetori i vitit 2023, lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 74.000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 175.000 të tjerë, shumica e tyre gra dhe fëmijë, ndërsa ka dëmtuar 90 për qind të infrastrukturës së territorit.

Related posts

Turqia ‘dënon ashpër’ bastisjen e grupeve fanatike hebreje në Al-Aksa

admin

Koci hedh dyshimet për Faton Hajrizin: Situata momentale është shumë komplekse

Muhamet Ramadani

Su’lmet ush’tarake iz’raelite në shkollat ​​në Ga’za

admin