RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Izraeli drejt luftës edhe me Turqinë?

izraeli-drejt-luftes-edhe-me-turqine?

Netanyahu po e provokon me sulmet e vazhdueshme në Siri

Gjatë fjalimit në Kombet e Bashkuara javën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sulmoi ashpër presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, duke e quajtur “tiran” dhe duke e akuzuar se kërkon të marrë kontrollin e Sirisë.

Përplasja verbale vjen në një moment kur tensionet mes Izraelit dhe Turqisë po marrin një dimension gjithnjë e më konkret në terrenin sirian. Në gusht, avionët luftarakë izraelitë goditën bazën ajrore Abu al-Duhur në Sirinë veriperëndimore, rreth 43 milje nga kufiri turk.

Sulmi dëmtoi pistën dhe u krye pa njoftim paraprak ndaj Ankarasë. Ndërsa avionët izraelitë iu afruan kufirit turk, ata u gjurmuan nga radarët turq, duke e afruar krizën politike dhe diplomatike mes dy vendeve me një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake.

Qeveria e Netanyahut e paraqet goditjen si masë parandaluese kundër një ndërhyrjeje të mundshme turke në Siri. Izraeli pretendoi se kishte informacione se baza do të shndërrohej në një strukturë ushtarake turke.

Ankaraja dhe Damasku e mohuan këtë, ndërsa i dërguari amerikan Tom Barrack tha më vonë se inteligjenca amerikane nuk kishte gjetur prova që ta mbështesnin pretendimin.

Edhe nëse pretendimi izraelit do të ishte i saktë, mbetet pyetja nëse një vendosje e mundshme turke përbënte një kërcënim të menjëhershëm që kërkonte veprim ushtarak.

Gjeneralmajori turk në pension Ateş Mehmet İrez vlerëson se një vizitë turke në bazë mund të interpretohej si mision zbulimi ose vlerësimi dhe jo domosdoshmërisht si përgatitje për vendosje trupash. Sipas tij, shndërrimi i një baze në një strukturë operative do të kërkonte muaj, ndoshta më shumë se një vit.

Në këtë kuptim, rreziku i menjëhershëm mund të ketë qenë më shumë politik sesa teknik. Prania e personelit turk në një bazë siriane do ta ndërlikonte çdo sulm të mëtejshëm izraelit, pasi do të rriste mundësinë e goditjes së trupave të një vendi anëtar të NATO-s.

Sipas İrez, goditja e pistës dhe zonave të magazinimit mund të shihet jo vetëm si përpjekje për të shkatërruar një kapacitet, por edhe si krijim i një precedenti.

Por problemi më i madh lidhet me ndryshimin e pragut të krizës. Në vend që një palë t’i përgjigjet një veprimi konkret të palës tjetër, logjika e re mund të bazohet mbi atë që pala tjetër mund të bëjë në të ardhmen.

İrez e përshkruan këtë si kalim nga reagimi ndaj sjelljes së vëzhgueshme te reagimi ndaj qëllimit të supozuar. Një standard i tillë, e bën më të vështirë përcaktimin e vijave të kuqe dhe rrit mundësinë e llogaritjeve të gabuara.

Tensionet nuk janë të reja. Izraeli ka kryer operacione pranë kufirit turk edhe në të kaluarën, ndërsa pas krizave të mëparshme Ankaraja ka forcuar rregullat e angazhimit përgjatë kufirit sirian.

Por në rastin e Abu al-Duhur, Turqia zgjodhi përmbajtjen: gjurmoi avionët dhe mori masa paraprake, por nuk ndërhyri, edhe pse ata iu afruan kufirit.

Megjithatë, kjo vetëpërmbajtje nuk do të thotë se durimi i Ankarasë është i pakufizuar. Sipas İrez, operacionet izraelite në Siri të bazuara mbi parashikime po krijojnë një atmosferë ku tensionet mund të shndërrohen lehtësisht në përballje ushtarake.

Në të njëjtën kohë, Turqia po e zgjeron rolin e saj në Sirinë e pas-Asadit, nga trajnimi i forcave dhe policisë siriane deri te bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe sigurisë.

Për këtë arsye, një sulm i vetëm nuk e zgjidh problemin strategjik që Izraeli thotë se po përpiqet të parandalojë. Roli i Turqisë në Siri shkon përtej një baze të vetme ajrore dhe integrimi mes Ankarasë dhe Damaskut po thellohet.

Njësitë siriane stërviten në objektet turke, kadetët sirianë ndjekin akademitë ushtarake turke, ndërsa Ankaraja ka furnizuar automjete të blinduara dhe ka trajnuar policinë siriane.

Në këtë situatë, SHBA-ja ka një rol të rëndësishëm. Uashingtoni ka thënë se po punon për një mekanizëm trepalësh për uljen e tensioneve. Sfida është që ky mekanizëm të shndërrohet në një kanal të drejtpërdrejtë politik, me rregulla të qarta për njoftimin dhe menaxhimin e incidenteve.

Rivaliteti mes Turqisë dhe Izraelit nuk pritet të zhduket në afat të shkurtër. Por shmangia e shndërrimit të tij në konflikt të armatosur në Siri, mbetet e mundur nëse krijohen mekanizma të qartë komunikimi.

Përndryshe, një rivalitet që sot zhvillohet përmes kërcënimeve, radarëve dhe sulmeve parandaluese, mund të kalojë në një përplasje që asnjëra palë nuk e kishte planifikuar. tesheshi

Related posts

Irani: Është vendosur ‘linjë komunikimi e drejtpërdrejtë’ me SHBA-në mbi Hormuzin për të shmangur konfrontimin ushtarak

Hevzi

Skandal i ri në PE, kryetarja nuk deklaroi dhuratat

admin

Bashkimi Evropian e konfirmon: Statusi i kandidatit për Bosnjën, në tetor ose dhjetor

admin