Në kuadër të hetimeve nga Prokuroria e Këlnit për rastin, është zbuluar se në kasafortën private të Johannes Kahrs-it, ish-deputet i SPD-së në Bundestag dhe i afërt me Scholz-in, janë gjetur më shumë se 200 mijë euro
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Partia e tij Socialdemokrate (SPD) po përballen me presion gjithnjë e më të madh për shkak të skandalit “Cum-ex”, i cilësuar si mashtrimi më i madh tatimor në historinë e Gjermanisë, transmeton Anadolu Ageny (AA).
Përpara deklaratës së Olaf Scholz-it, i cili shërbeu si Kryeministër i Shtetit të Hamburgut në vitet 2011-2018, në komisionin hetimor të ngritur në Asamblenë e Shtetit të Hamburgut më 19 gusht për të hedhur dritë mbi skandalin, kanë ndodhur zhvillime të reja.
Në kuadër të hetimeve nga Prokuroria e Këlnit për rastin, është zbuluar se në kasafortën private të Johannes Kahrs-it, ish-deputet i SPD-së në Bundestag dhe i afërt me Scholz-in, janë gjetur më shumë se 200 mijë euro.
Shtypi gjerman, i cili ka cituar anëtarë të komisionit hetimor, tha se janë ekzaminuar po ashtu mesazhet e dërguara në adresën e emailit të përdorur nga Scholz gjatë mandatit të tij si kryeministër i Hamburgut.
– “Nuk ka asnjë provë për ndërhyrje politike”
Publiku gjerman kërkon të zbulojë se çfarë roli ka luajtur Scholz si i pari i shtetit të Hamburgut, në lidhje me Bankën Warburg, e cila thuhet se është e përfshirë në skandalin tatimor.
Kancelari gjerman Scholz, i cili kishte dëshmuar më parë në komisionin hetimor, ka thënë se nuk mbante mend përmbajtjen e bisedimeve që kishte me drejtuesit e Bankës Warburg dhe Kahrs-in.
Scholz në konferencën për shtyp të mbajtur sot në Berlin deklaroi se nuk ka asnjë përgjegjësi për zhvillimet në lidhje me Bankën Warburg dhe tha se “Nuk ka asnjë provë për ndërhyrje politike”.
Kancelari Scholz pohoi nuk dinte asgjë për paratë në kutinë e parave të Kahrs-it në bankë dhe se ai nuk kishte kontaktuar me të për një kohë të gjatë.
Pasi një gazetar pretendoi se bankierët nuk i kanë dhënë “paratë e vjedhura” pasi u takuan me Scholz-in, kancelari tha: “Nëse do të duhej ta vërtetoje këtë pretendim, nuk do të mund ta bëje. Mendo pak kur thua diçka të tillë”.
Partitë opozitare në vend po kërkojnë gjithashtu që Scholz të shpjegojë se çfarë ka biseduar me bankierët dhe nga kanë ardhur paratë e gjetura në kasafortën e ish-deputetit Kahrs.
Prokuroria e Këlnit kishte kontrolluar ndërtesat e institucioneve të ndryshme financiare në Hamburg, Frankfurt dhe Mynih dhe Ministrinë e Financave gjatë kohës kur Scholz ishte ministër i Financave, me dyshimin për evazion fiskal përmes transaksioneve të quajtura “Cum-ex”.
Hetimi ndaj “Cum-ex”, i cili njihet si skandali më i madh i mashtrimit tatimor në historinë e Gjermanisë, kishte zbuluar se investitorë dhe avokatë të pasur, veçanërisht bankierë në vend, kanë nënshkruar sistematikisht marrëveshje komplekse aksionesh për të shlyer taksat që nuk i kishin paguar kurrë.
Gerhard Strate, avokat i njohur i mbrojtjes penale, ngriti kallëzim penal në shkurt, duke akuzuar Scholz-in dhe ish-kryebashkiakun e Hamburgut Peter Tschentscher për ndihmë dhe nxitje të evazionit fiskal në skandalin “Cum-ex”. Ai ka akuzuar dy politikanët e SPD-së për moskërkim në kohë të rimbursimeve të taksave prej 47 milionë eurosh që Banka Warburg me qendër në Hamburg kishte marrë nga thesari i shtetit përmes marrëveshjeve të aksioneve Cum-Ex në vitin 2016.
Mediat gjermane kishin thënë se Scholz ishte takuar me Christian Olearis-in, një nga partnerët e Bankës Warburg, dhe kishte bërë rekomandime shumë herë, dhe se banka në fjalë i kishte dhuruar më shumë se 45 mijë euro SPD-së në vitin 2017.
Sipas përllogaritjeve të ekspertëve gjermanë të taksave, mes viteve 2005 dhe 2011, thesarit të shtetit i është shkaktuar një humbje prej 7,2 miliardë eurosh me “Cum-ex”. /aa