Studiuesit thonë se mos tharja e duarve pas pastrimit të tyre, mund të jetë në fakt edhe më keq sesa mos t’i lani.
Ata thonë se udhëzimet publike për tharjen e duarve janë të nevojshme për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së baktereve dhe viruseve.
David Webber, një mikrobiolog me përvojë 50-vjeçare, përfshirë në Kolegjin Universitar të Swansea në Britani të Madhe, thotë se njerëzit që nuk i thanë duart siç duhet mund të përshkruhen si antisocialë.
“Mos tharja e duarve siç duhet mund të jetë më pak higjienike sesa mos larja e tyre. Kërkimet treguan se transferimi i baktereve lidhej drejtpërdrejt me kohën dhe efektivitetin e tharjes së duarve, transferimi i baktereve u ul në mënyrë progresive me largimin e ujit,” tha ai.
Bakteret si E. coli lulëzojnë në sipërfaqe të lagura, duke përfshirë duart. Hulumtimet e mëhershme kanë sugjeruar se 85 për qind e mikrobeve të përhapura nga njerëzit që ndotin sipërfaqet ndodhin kur duart janë ende të lagura.
“Pandemia ka përqendruar vëmendjen në mënyrën e duhur për të larë duart me udhëzime të publikuara nga OBSH, CDC dhe NHS. Megjithatë, nuk ka pasur një udhëzim të tillë për procedurat e sakta të tharjes së duarve, të cilat janë po aq të rëndësishme,” tha Webber.
Njerëzit që përdorin pak lagështi të mbetur për të stiluar flokët e tyre janë gjithashtu në rrezik të marrjes së mikrobeve nga skalpi i tyre, duke përfshirë bakteret që shkaktojnë aknet.
Webber paralajmëroi se kjo mund të transferojë gjithashtu E. coli – që shkakton helmim nga ushqimi, diarre dhe infeksione të traktit urinar – nga koka juaj në duart tuaja.
Udhëzuesi i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) për larjen e duarve, ndjek udhëzimet e OBSH-së, të cilat përfshijnë 11 hapa të detajuar, duke përfshirë teknikën e saktë që duhet të përdorni për t’u siguruar që çdo pjesë e duarve tuaja të jetë e pastër.
NHS rekomandon që britanikët të lajnë duart për të paktën 20 sekonda. Njerëzve u thuhet që të lagin duart para se të aplikojnë sapun, përpara se t’i fërkojnë së bashku, të pastrojnë midis gishtërinjve dhe t’i fërkojnë në pëllëmbën e dorës.
Shërbimi shëndetësor rekomandon gjithashtu tharjen e plotë të duarve me një peshqir të disponueshëm dhe përdorimin e peshqirit për të mbyllur rubinetin.