Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, në hapjen e sotme të edicionit të 17-të të Forumit Strategjik të Bled (BSF), i bëri thirrje Ursula von der Layen, Presidentes së Komisionit Evropian, që t’i japë Bosnjë dhe Hercegovinës statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa asnjë kusht shtesë deri në fund të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).
Pahor, para së gjithash, paralajmëroi rrezikun e një ndarje të re të bllokut në Evropë dhe në botë, si pasojë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Pahor ka bërë thirrje edhe më herët për përshpejtimin e integrimit evropian të Bosnjë-Hercegovinës dhe ka shfrytëzuar Forumin Strategjik të Bledit dhe praninë e Von der Layen për t’iu rikthyer edhe një herë kësaj teme shumë të rëndësishme për të.
“Ballkani Perëndimor mund të jetë çështja e radhës e paqes dhe sigurisë në Evropë”, paralajmëroi Pahor dhe shtoi:
“Në këtë kontekst, Bosnja dhe Hercegovina ka një rëndësi kyçe. Sllovenia po bën gjithçka në fuqinë e saj për të bindur BE-në dhe Perëndimin që të përshpejtojnë rrugën e BeH-së drejt BE-së dhe, nëse është e mundur, drejt NATO-s. Nëse konflikti në Bosnje dhe Hercegovinë përshkallëzohet, mund të ketë pasoja për sigurinë e vendit, rajonit dhe Evropës. Tani është koha që të mendojmë dhe të zgjidhim këtë problem. Prandaj, mikja ime e dashur Von der Layen, dua t’ju përcjell se Sllovenia propozon që BeH të marrë statusin e kandidatit këtë vit, nëse është e mundur pa asnjë kusht”.
Në hapje të Forumit Strategjik të Bled-it, të pranishmëve iu drejtua Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila theksoi rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit brenda Bashkimit Evropian.
“Realiteti i ri diktoi temat kryesore të forumit të këtij viti. Këto janë sfidat strategjike që solli lufta në Ukrainë”, tha Fajon dhe theksoi se “nuk duam një perde të re të hekurt në Evropë, por fatkeqësisht nuk mund të bëjmë shumë për ta parandaluar”.
Forumi Strategjik i Bled-it (BSF) po mbahet me titullin “Sundimi i ligjit ose fuqia e ligjit” dhe do të mbahet veçanërisht nga diskutimet mbi krizën e rendit shumëpalësh dhe pasojat e sulmit rus ndaj Ukrainës.
Në ditën e parë të BSF do të ketë një diskutim të liderëve dhe debat me titull “Si shumë Evropa në Evropë?”, në të cilin, ndër të tjera, do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, kurse udhëheqëse e diskutimit do të jetë Ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon.
Në margjinat e BSF-së pritet të zhvillohen takime të shumta dypalëshe. /aa