RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pakistan, shkon në mbi 1.200 numri i të vdekurve nga përmbytjet

pakistan,-shkon-ne-mbi-1.200-numri-i-te-vdekurve-nga-permbytjet

Nëntëmbëdhjetë persona të tjerë, përfshirë nëntë fëmijë, humbën jetën nga reshjet dhe përmbytjet në gjithë Pakistanin në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në mbi 1.200, sipas statistikave zyrtare të publikuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dymbëdhjetë vdekje u raportuan në Sindhin jugor, katër në Khyber Pakhtunkhwa dhe tre në provincën Balochistan.

Gjithsej 1.208 njerëz kanë vdekur, përfshirë 416 fëmijë, dhe 6.082 janë lënduar që nga mesi i qershorit, kur vendi u godit rëndë nga shirat e dendur dhe përmbytjet pasuese, tha Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit (NDMA).

Reshjet e rrëmbyeshme dhe përmbytjet kanë prekur mbi 33 milionë njerëz në 80 rrethe në të gjithë vendin, tha NDMA.

Shirat e vazhdueshëm dhe përmbytjet e furishme kanë shkatërruar tashmë një pjesë të madhe të infrastrukturës dhe tokave bujqësore në të gjithë vendin, duke përfshirë dhjetëra mijëra shtëpi, rrugë dhe ura.

Sipas NDMA-së, 472.313 njerëz janë zhvendosur në kampe të strehimit, kurse 121.630 njerëz janë evakuuar nga zonat më të prekura.

Përmbytjet e mëdha kanë shkaktuar gjithashtu dëme në mbi 1,17 milion shtëpi, prej të cilave 436.307 janë shkatërruar plotësisht. Fatkeqësia ka shkaktuar po ashtu ngordhjen e mbi 733 mijë kafshëve.

Ndërkohë, ndihma humanitare për Pakistanin pas përmbytjeve shkatërruese ka vazhduar.

Një tjetër avion turk me ndihma u ul në aeroportin ndërkombëtar Jinnah të Karaçit të enjten mbrëma.

Ky është dhjeti nga fluturimet e tilla nga Turqia që transportojnë tenda, pako ushqimore, ushqim për fëmijë, batanije dhe mallra të tjera ndihmash.

“Pakistani është mirënjohës ndaj qeverisë dhe popullit të Turqisë për këtë mbështetje të vlefshme në këtë kohë katastrofe të paprecedentë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

Vendi ka marrë gjithashtu ndihmë humanitare nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Uzbekistani.

Ministri i Brendshëm turk Süleyman Soylu dhe ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, mbërritën në Islamabad sot në mëngjes për t’u takuar me homologët e tyre.

Soylu dhe Kurum u mirëpritën nga ministrat federalë pakistanezë Rana Sanaullah, Sherry Rehman, Ahsan Iqbal dhe ambasadori i Turqisë në Pakistan Mehmet Paçacı. /aa

Related posts

Ministrat e jashtëm arabë mbajnë takim urgjent për të diskutuar sulmet izraelite në Gaza

rezart morina

MPJD ia ndalon Petkoviqit hyrjen në Kosovë, thotë se përdori gjuhë provokuese e deklarata propaganduese

RTI

Nëntë persona të lënduar në një aksident në magjistralen Prishtinë – Pejë

admin