RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Anëtarësia e SBASHK-ut refuzon propozimin e Golës, greva vazhdon

anetaresia-e-sbashk-ut-refuzon-propozimin-e-goles,-greva-vazhdon

Propozimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, lidhur me grevën në arsim, nuk është pranuar nga anëtarësia e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBASHK).

Propozimi i Golës që greva të ndërpritet por mësimdhënësit të përdorin metodën e mosvënies së notave, si formë presioni sindikal ndaj qeverisë, u diskutua në një mbledhje online që u mbajt sonte mes SBASHK-ut, Golës dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit për Arsim.

Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, në një prononcim për Telegrafin tha se 663 shoqata kanë qenë kundër këtij propozimi, 39 e kanë pranuar, ndërsa 35 të tjera nuk janë deklaruar.

“Ka qenë një takim me kryetarët e sindikatave komunale bashkë me kryetarin e Komisionit për Arsim, Ardian Golën dhe disa nga anëtarët e Komisionit. Është diskutuar për propozimin e deputetit Gola dhe rezultati ka dëshmuar që një numër i madh prej 663 shoqatash e kanë refuzuar, 39 shoqata e kanë pranuar, ndërsa nuk janë deklaruar edhe 35 shoqata dhe një komunë nuk e kemi pasur rezultatin sepse kryetari ka pasur pengesa me internet dhe nuk ka mundur të kyçet”, deklaroi Ymeri.

Ai tutje tha se arsyetimi i shoqatave që e kanë refuzuar propozimin e Golës është se kur të përfundojë greva nuk është etike që nxënësit të mos notohen.

Ymeri shtoi se në këtë takim virtual i kanë lutur deputetët që të vazhdojnë angazhimin dhe të bisedojnë me Qeverinë për gjetjen e një zgjidhje, në mënyrë që nxënësit të kthehen në bankat shkollore.

“E vlerësuam që ky takim ka qenë frymë e afrimit me Komisionin për Arsim dhe shpresojmë që deputetët në të ardhmen të bëjnë përpjekje përsëri për ta gjetur një zgjidhje”, përfundoi ai.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht. Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat. E greva në arsim ka hyrë në javën e katërt dhe ende asnjë marrëveshje mes Sindikatës së Bashkuara të Arsimit (SBASHK) dhe Qeverisë së Kosovës.

SBASHK-u së fundmi ka dalë edhe me tri kërkesa të reja për Qeverinë e Kosovës. Kryetari i sindikatës, Rrahman Jasharaj ka kërkuar që nga janari i vitit 2023 të ketë rritje prej 10 për qind të pagës për mësimdhënësit.

Ndërkohë deri në janar, mësimdhënësit sikurse edhe shërbyesit tjerë publikë do të marrin shtesat prej 50 eurove që i ka premtuar Kurti me pakon e re mbështetëse.

Në pikën dy të kërkesës së SBASHK-ut, kërkohet që të ndryshohet ligji për Skemat Pensionale, kushti 15 vite përvojë punë dhe pika tre që deri në fund të vitit 2022 të fillojë së zbatuari Ligji për sigurime shëndetësore nga viti 2023.

Related posts

Austria kundër zgjerimit të marrëveshjes së Shengenit

admin

Franca mund të furnizoj Ukrainën me avionë luftarakë, SHBA-ja thotë jo

admin

Osmani për takimin me shefin e CIA-së: Aleanca me SHBA-në garancë për siguri

RTI