RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedKosovëLajmeLajmet

Liberalizimi i vizave për Kosovën në rend dite në BE më 13 tetor

liberalizimi-i-vizave-per-kosoven-ne-rend-dite-ne-be-me-13-tetor

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e Grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë, ndërkaq Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në këtë dokument.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në këtë letër.

Presidenca Çeke përmend aty pikërisht liberalizimin e vizave për Kosovën si shembull se si BE-ja mund të rrisë besueshmërinë në rajon.

Aty, po ashtu, rikujtohet rrugëtimi i Kosovës drejt përmbushjes së kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.

“Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Parlamenti Evropian, në vazhdimësi, ka konfirmuar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në letër.

Presidenca Çeke e BE-së thekson se pret që Komisioni Evropian të konfirmojë mendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përmes saj, Çekia thotë se i kupton edhe shqetësimet e disa vendeve anëtare të BE-së për implikimet që mund t’i ketë liberalizimi i vizave për Kosovën për sigurinë e brendshme të tyre.

Për këtë arsye, ministritë e Punëve të Brendshme të vendeve anëtare janë më shumë të rezervuara për të miratuar liberalizimin e vizave, sesa ministritë e Punëve të Jashtme.

Çekia, megjithatë, thirret në vlerësimin e Komisionit Evropian për adresimin e këtyre shqetësimeve. “Komisioni Evropian është i bindur se dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk paraqet rrezik për vendet anëtare në formën e valës së imigrimit”, thotë Presidenca çeke, duke shtuar se edhe Kosova ka marrë masa për t’i adresuar këto shqetësime.

“Vlen po ashtu të theksohet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar më 3 gusht rezolutën për liberalizimin e vizave. Me këtë rezolutë, institucionet e Kosovës zotohen t’i zbatojnë të gjitha reformat, për të garantuar sundimin e ligjit, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presidenca çeke vlerëson lart miratimin e kësaj rezolute, e cila është një dëshmi e rëndësishme e përkushtimit nga ana e Kosovës”, thuhet në letër.

Diskutimi i parë në grupin punues të Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të zhvillohet vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian të miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit, e cila do të shoqërohet edhe me raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

Edhe nga Komisioni Evropian është konfirmuar se do të raportojë pozitivisht për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Burimet diplomatike në Bruksel e shohin qëllimin e Çekisë që të nisë procedurën për vendimin për liberalizimin e vizave si dëshmi se tashmë ekziston një mbështetje e madhe për këtë në Këshill.

Por, përkundër kësaj, ato hezitojnë të përmendin afate se kur do të miratohej vendimi dhe kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

E në rast të vendimit pozitiv, atëherë kur do të munden qytetarët të udhëtojnë pa viza?

Nëse merret vendimi atëherë Kosova vetëm duhet të pres që vendimi të hyjë në fuqi. Ky vendim merr kohë prej 3 deri në 6 muaj varësisht prej procedurave në secilin shtet anëtarë, ka thënë analisti Ardian Arifaj.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të jetë temë e ditës gjatë takimit të grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor.

Ai për RTV Dukagjini, ka thënë se tashmë edhe Komisioni Evropian e ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat. Për Arifajn, problemi qëndron te politikat e brendshme të shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian, dhe jo te Kosova.

“Ende nuk është e qartë saktë në cilën mbledhje do të jetë, vendimi për liberalizimin të vizave merret në mbledhjet që bëhet në nivel të ministrave. Më datën 13 është mbledhja e ministrave të brendshëm, ajo që është me rëndësi që tema e liberalizimit të vizave më në fund po hyn në agjendë”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se edhe vendet skeptike e dinë që problemi nuk qëndron më te Kosova.

“Komisioni Evropian thotë se Kosova i ka përmbushur kërkesat, problemi është te vendet anëtare, te çështjet e brendshme politike që i kanë ato, qofshin zgjedhjet në Francë apo në ndonjë shtet tjetër, nuk është faji te Kosova por te politikat e brendshme të shteteve anëtare të BE-së”, shtoi Arifaj.

“Nëse merret vendimi atëherë Kosova vetëm duhet të pres që vendimi të hyjë në fuqi ky vendim, merr kohë prej 3 deri në 6 muaj varësisht prej procedurave në secilin shtet anëtarë”, ka thënë ai.

Arifaj ka thënë se nëse ka vendim pozitiv, vitin e ardhshëm qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së, pa pasur nevojë për viza.

“Më realja është vitin e ardhshëm, nëse ka vendim pozitiv”.

Ndryshe, javë më parë Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët të publikuar të premten nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përveç vizave, në këtë deklaratë përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Të tria vendet kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

Related posts

Erdoğan: Izraeli përhap dezinformata për të fshehur të vërtetën për Gazën

rezart morina

Tërmeti në Siri, mbi 5 milionë njerëz mbeten të pastrehë

admin

“Black out” në Australi! Sistemet në banka, linja ajrore dhe media kanë rënë për shkak të problemeve me sistemin e IT! Problemi, në nivel global

admin