Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, gjeneralmajor Mohammed Bagheri tha se nëse SHBA-ja synon dronët iranianë, ata do të përgjigjen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, Bagheri ka komentuar deklaratën se forcat amerikane kanë rrëzuar një mjet ajror pa pilot të armatosur iranian të tipit “Muhajir-6” një ditë më parë që fluturonte drejt Erbilit.
Duke e përshkruar deklaratën e forcave të SHBA-së se ata rrëzuan një avion iranian që synonte “grupet terroriste separatiste” në rajon si një “pretendim”, Bagheri tha: “Nëse amerikanët bëjnë një përpjekje kundër dronëve të Iranit, Forcat e Armatosura iraniane do t’i përgjigjen këtij veprimi armiqësor”.
Ai tha se forcat iraniane kanë informacion të plotë dhe të saktë për bazat Harir, Erbil dhe Duhok në veri të Irakut. “Në këtë fazë ne po marrim vetëm një qasje të ashpër ushtarake kundër organizatave terroriste separatiste dhe nuk po marrim asnjë veprim kundër amerikanëve në këtë pikë. Ata e ndërmarrin këtë veprim. Ata duhet të dinë se përgjigjja që duhet dhënë gjendet tek forcat tona të armatosura dhe se ne do të bëjmë atë që është e nevojshme”, tha Bagheri.
Ushtria e Gardës Revolucionare akuzoi partitë kurde si Komele dhe KDP se dërguan grupe të armatosura dhe sasi të mëdha armësh në rajonet kufitare për të shkaktuar kaos, teksa vazhdonin protestat në vend për vdekjen e Mahsa Aminit. Irani kreu sulme artilerie mbi pozicionet e grupeve në fjalë më 24 dhe 26 shtator.
Më 28 shtator, Irani nisi sulmet me raketa dhe mjete ajrore pa pilot ndaj selisë së Komeles, KDP dhe PAK në veri të Irakut. Komandanti i Forcave Tokësore të Ushtrisë së Gardës Revolucionare, gjeneral brigade Mohammed Pakpur dje njoftoi se në sulme u përdorën 73 raketa balistike.
Zyrtarët e Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut (KRG) njoftuan se 9 persona humbën jetën dhe 32 persona u plagosën nga sulmet. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi dje se një shtetas amerikan u vra në sulme.
Komanda e Forcave Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se avioni iranian pa pilot i tipit “Muhajir-6” i drejtuar për në Erbil u rrëzua gjatë sulmeve të Ushtrisë së Gardës Revolucionare në veri të Irakut.
Komele, KDP dhe PAK të cilat konsiderohen si “organizata terroriste” nga Irani, prej vitesh janë strehuar në kampe në rajonet nën kontrollin e IKRG-së.