RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Iran, fillojnë sërish protestat në rrugët e Teheranit për vdekjen e Mahsa Aminit

iran,-fillojne-serish-protestat-ne-rruget-e-teheranit-per-vdekjen-e-mahsa-aminit

Pas disa ditësh relativisht të qeta në Iran kanë filluar sërish protestat për Mahsa Aminin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqytetin Teheran ku janë marrë masa të gjera sigurie, protestat e ditëve të fundit në rrugë ia kishin lënë vendin më shumë protestave në universitete dhe shkolla të mesme. Por, thirrjet e protestuesve për të dalë sërish nëpër sheshe morën përgjigje dhe në orët e drekës rifilluan protestat.

Protestat u mbajtën njëkohësisht në shumë zona të qytetit dhe zonave përreth si rrugët Veliasr, Jomhouri, Sharif Metro dhe Keshavarz, Daneshjoo Park dhe sheshi Enqelab.

Është vërejtur se forcat e sigurisë kanë ndërhyrë me shkopinj gome dhe gaz lotsjellës si dhe kanë përdorur plumba plastikë ndaj grupeve që kanë brohoritur me slogane kundër qeverisë.

Sipas pamjeve të ndara në median sociale, protestë kanë mbajtur edhe studentët para kampusit të Universitetit Kharazmi në qytetin Karaj në rajonin Alborz. Ndër të tjera thuhet se në të njëjtën orë kanë mbajtur protestë edhe studentët në Universitetin Al-Zahra.

– Protestat në Iran

Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u dërgua në spital në gjendje kome pasi u arrestua më 13 shtator nga patrullat e Irshadit të njohura si “Policia e moralit” në Teheran, shkaktoi zemërim të madh në mbarë Iranin.

Protestat që filluan pas ceremonisë mortore të Aminit më 17 shtator në qytetin e vendlindjes së saj Sakkiz, u përhapën më pas në shumë qytete të vendit.

Televizioni shtetëror i Iranit më 24 shtator njoftoi se gjatë protestave që u shndërruan në dhunë kanë humbur jetën 41 persona, përfshirë edhe forca të sigurisë.

Organizatat iraniane e të Drejtave të Njeriut (IHR) me qendër në Norvegji, ka pretenduar se në protestat në të gjithë vendin kanë humbur jetën 154 persona. Ndërkohë thuhet se në ngjarjet e shënuara janë arrestuar edhe mijëra persona. /aa

Related posts

Kurti: Po përgatitemi që ta akuzojmë Serbinë për krime lufte

RTI

Fundosja e jahtit në brigjet e Siçilisë, roja bregdetare italiane: Të zhdukurit mund të jenë bllokuar brenda mjetit lundrues

admin

Calderone: Italia po përballet me mungesë të fuqisë punëtore

admin