RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Raportimi është hapi i parë për të luftuar islamofobinë në Ballkan

raportimi-eshte-hapi-i-pare-per-te-luftuar-islamofobine-ne-ballkan

Islamofobia në Ballkan vazhdon të jetë problematike me shumë politika. Sipas Raportit, gjetjet më të rëndësishme në lidhje me islamofobinë janë ndalimet e shamisë dhe gjuhës së urrejtjes në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut.

Është publikuar edicioni i shtatë radhazi i Raportit Evropian të Islamofobisë që mbulon vitin 2021. Në këtë edicion, 35 akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kontribuar në mbulimin e 27 vendeve në Evropë, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Është e vështirë të mohosh më islamofobinë

Redaktori i Raportit Evropian të Islamofobisë, Enes Bayraklı, duke folur për TRT Balkan, thotë se disa nga autorët nuk kanë dhanë kontributin e tyre në Raport për shkak të shqetësimit për sigurinë e jetës së tyre dhe marrjen e kërcënimeve ekonomike. Pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, ai thotë se janë të suksesshëm të udhëheqin disa zhvillime pozitive në Evropë.

“Me këtë raport mendojmë se kemi krijuar një ndërgjegjësim serioz në gjithë Evropën gjatë 7 viteve të fundit. Problemi i islamofobisë mohohej, por tani mohimi i saj është bërë edhe më i vështirë”, shton ai.

Raporti ka theksuar zhvillimet e islamofobisë në fusha kyçe, si punësimi, arsimi, mediet dhe politika.

Sipas Bayraklı-it, pasi Raporti Evropian i Islamofobisë është botuar çdo vit, Komisioni Evropian caktoi një koordinator për luftimin e urrejtjes antimyslimane, OKB-ja e bëri 15 Marsin ditë ndërkombëtare për të luftuar islamofobinë, ndërsa Raportimi vjetor i OSBE-së për Krimet e Urrejtjes ka cituar burimin e REI-it si referencë.

Ndalimi i shamisë dhe gjuha e urrejtjes janë akte të mëdha islamofobike në Ballkan

Islamofobia në Ballkan vazhdon të jetë problematike me shumë politika. Sipas Raportit, gjetjet më të rëndësishme në lidhje me islamofobinë janë ndalimet e shamisë dhe gjuhës së urrejtjes në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut.

Shqipëri

Sipas Raportit, në disa shkolla të mesme brenda dhe rreth Tiranës në Shqipëri, vajzat myslimane që mbajnë hixhabin u kërcënuan me përjashtim nga shkolla, edhe pse shkollat janë laike në kushtetutën shqiptare.

Nada Dosti, autore e Raportit Evropian të Islamofobisë nga Shqipëria, flet për TRT Balkan për çështjen e hixhabit në Shqipëri dhe shton se ekziston një numër i madh rastesh dhe raportimesh lidhur me çështjen e hixhabit në shkollat fillore publike në Shqipëri. Megjithatë, njerëzit, sipas saj, veçanërisht gratë, nuk janë si në të kaluarën, ata tani po ngrenë zërin e tyre.
Ajo vlerëson se Raporti ndërgjegjëson në mbarë Evropën dhe kontribuon për ndryshim.

“Gjatë shkrimit të Raportit, ajo që më ka habitur të shoh në 2021 në një kuptim pozitiv është se në të kaluarën kishte mungesë raportimi dhe jo rastesh, që do të thotë se prindërit do të hiqnin dorë dhe thjesht do ta transferonin fëmijën nga një shkollë në një tjetër, ose thjesht do ta linte fëmija shkollën, dhe në rastin më të keq do të pranonte vendimin për të hequr hixhabin”, thotë Dosti.

Nuk ka asnjë ndalim zyrtar për hixhabin, megjithatë gratë myslimane ende përballen me pengesa për shkak të mbajtjes së hixhabit në Shqipëri.

“Megjithatë, në ditët e sotme prindërit duken të etur për të luftuar duke kërkuar të drejtën e tyre për të lejuar fëmijët të ndjekin shkollën pa hequr dorë nga të drejtat e tyre të garantuara nga vetë Kushtetuta e vendit.” shton ajo.

Bosnjë e Hercegovinë

Bosnja e Hercegovina, ku mirëkuptimi dhe toleranca ndërfetare janë të brishta dhe komplekse, mbetet një shembull specifik i islamofobisë në vitin 2021. Sipas Raportit, fanatizmi antimysliman ndaj myslimanëve në vend ishte i dukshëm kryesisht në sektorët arsimorë, politikë dhe mediatikë, në prirje drejt një përkeqësimi të përgjithshëm.

Kosovë

Sipas Raportit, ka shumë raste të mësimdhënësve dhe nxënësve që janë shënjestruar nga sulmet islamofobike për mbajtjen e shamisë në shkollat e mesme të Kosovës.

Prandaj, kjo çështje ishte një temë shumë e debatuar në vitin 2021.

Në Kosovë, kufizimet dhe polemikat në lidhje me mbajtjen e hixhabit në institucionet publike janë duke vazhduar që nga viti 2010. Dokumenti ligjor kritik në fjalë që ndalon hixhabin në shkollat e mesme nuk është ligj, por një udhëzim administrativ i nxjerrë në vitin 2010, i zëvendësuar më pas me një version të ri në vitin 2014. Për rrjedhojë, shkollat vendosin për këtë çështje sipas preferencave të tyre.

Qeveria aktuale ka diskutuar për këtë çështje muajt e fundit. Adem Ferizaj, autor i Raportit Evropian të Islamofobisë nga Kosova, thotë për TRT Balkan: “Nga perspektiva e luftimit të islamofobisë, rezultati i këtij debati për hixhabin nuk është i kënaqshëm për qeverinë aktuale që heziton të mbajë një qëndrim të qartë ndaj kësaj çështjeje.”

Në rrjetet sociale ka nisur një fushatë e madhe me kërkesën për të shfuqizuar udhëzimin administrativ që është në fuqi dhe që në njëfarë mënyre ndalon hixhabin.
Autori i raportit për Kosovën, Ferizaj thekson se nëse Kosova vendos të përjashtojë vajzat e reja nga shkollimi për shkak të kufizimeve të veshjes, ky nuk është vetëm një rast i islamofobisë flagrante, por edhe seksizmit – diçka që nuk i përshtatet një demokracie liberale.

Maqedoni e Veriut

Sulmet islamofobike ishin më pak në Maqedoninë e Veriut këtë vit, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në Raport.

Shumica e akteve islamofobike ishin në formën e gjuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes, veçanërisht gjatë zgjedhjeve lokale që u mbajtën në vitin 2021.

Mersiha Smailoviq, autore e Raportit Evropian të Islamofobisë nga Maqedonia e Veriut, thotë për TRT Balkan: “Ajo që më befasoi këtë vit, kur po shkruaja raportin, ishte numri i vogël i rasteve të zbuluara të islamofobisë pavarësisht mbajtjes së zgjedhjeve lokale”.

Sipas rasteve në Raport, shihet se islamofobia është bërë vegël e politikës në Maqedoninë e Veriut.

Për shembull, gjatë fushatave zgjedhore lokale, politikani Petar Bogojeski, lider i një partie të vogël dhe të re politike në Maqedoninë e Veriut, “Koncepti Maqedonas (Македонски Концепт)”, filloi të përhapte islamofobinë në faqet e tij personale të medieve sociale.

Smailoviq thotë se “Ka mbetur praktikë që nga vitet e fundit që shkaktarët më të mëdhenj të islamofobisë janë politikanët. Edhe këtë vit, shumica e rasteve të islamofobisë me shkrim ose verbale kanë ardhur nga lideri politik i një partie të re dhe të vogël. Ajo që politikanët jo shumë të famshëm e shohin si një mundësi për të përhapur islamofobinë është fakti se kjo rrit vlerësimin dhe popullaritetin e tyre.”

Ngrijeni zërin dhe raportoni!

Në këto vende, institucionet shtetërore duhet të inkurajojnë qytetarët t’i raportojnë aktet islamofobike. Autorët e Raportit nga Ballkani Perëndimor bien dakord se qytetarët duhet të ndihen të sigurt për t’i raportuar rastet kur janë bërë viktima të islamofobisë. Ata bëjnë thirrje që të ngritet zëri dhe qytetarët të jenë proaktivë, respektivisht t’i raportojnë rastet. Sipas tyre, Kjo do të rrisë më shumë ndërgjegjësimin në Ballkan. /trt

Related posts

Libia vazhdon kërkimin për të zhdukurit teksa kufomat kthehen në brigjet e saj

admin

Bideni e pranon: Bombat tona u përdorën për të vrarë civilë në Gaza

RTI

Ombudsmanja e Francës paralajmëron policinë për përdorimin e forcës joproporcionale në protesta

admin