RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Papa Françesku shkarkon udhëheqësit e Caritas-it

papa-francesku-shkarkon-udheheqesit-e-caritas-it

Papa Françesku i shkarkoi të martën udhëheqësit e organizatës botërore bamirëse të Kishës Katolike Romake dhe e emëroi një komisionar për udhëheqjen e saj derisa të zgjidhen ekzekutivët e rinj.

Ky vendim i papritur prek ekzekutivët e organizatës Caritas Internationalis (CI), një konfederatë me seli në Vatikan që përbëhet nga 162 organizata katolike për ndihma, zhvillim dhe shërbime sociale në mbi 200 vende.

Shkarkimi i udhëheqësve ekzekutiv të CI-së, që ka mbi një milion njerëz si pjesë të stafit dhe vullnetarë në mbarë botën, u bë i ditur në një dekret papnor të publikuar nga zyra për media e Vatikanit.

Një deklaratë tjetër nga departamenti për zhvillimin i Vatikanit, që mbikëqyr punën e CI-së, tha se një inspektim i këtij viti i vendit të punës, nga ekspertë të jashtëm të menaxhimit dhe psikologjisë, gjeti pakënaqësi dhe praktika të këqija menaxhimi në selitë e organizatës.

Një pjesëtar i stafit tha për Reuters se ka raste të abuzimit verbal, favorizimit dhe keqmenaxhimit me resurset njerëzore dhe kjo ka bërë që stafi të shkarkohet. Caritas Internationalis e ka selinë në Romë, në një ndërtesë nën pronësi të Vatikanit.

“Nuk ka asnjë dëshmi për keqmenaxhim financiar apo parregullsi seksuale, por nga puna e panelit kanë dalë disa gjetje të tjera të rëndësishme që kërkojnë vëmendje urgjente”, u tha në deklaratën e departamentit për zhvillim.

“U vunë re mangësi reale në menaxhim dhe procedura, që paragjykonin seriozisht shpirtin e ekipit dhe moralin e stafit”, thuhej ndër tjerash.

Në deklaratën e lëshuar thuhej gjithashtu se “çështjet financiare janë menaxhuar mirë dhe qëllimet e fondeve të mbledhura janë arritur”, por se normat dhe procedurat e menaxhimit duhet të përmirësohen.

Në mesin e të prekurve nga ky dekret ishte kardinali Luis Antonio Tagle, i cili ishte formalisht president i Caritasit, por që nuk përfshihej në punët e përditshme. Puna e tij kryesore në Vatikan është si kryesues i krahut misionar të Kishës.

Pozita e presidentit tradicionalisht mbahet nga një kardinal.

Tagle, me prejardhje nga Filipinet, shpeshherë konsiderohet si opsion për ta marrë pozitën e Papës në të ardhmen. Ai tani do ta lërë pozitën si president, por do të mbetet në Vatikan në një rol të ri për t’i ndihmuar komisionarit t’i mbajë marrëdhëniet me zyrat shtetërore të Caritasit dhe në përgatitjet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm për udhëheqjen e re.

Dy burime nga Caritas-i, që folën për Reuters në kushte anonimiteti, thanë se dekreti kishte për cak praktikat e menaxhimit nga zyra e sekretarit të përgjithshëm dhe bordi.

Përveç Tagles dhe një prifti, të gjithë anëtarët e udhëheqësisë ekzekutive të CI-së ishin njerëz laikë. /rel

Related posts

Rritet në 37.266 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

RTI

Izraeli kryen sulme në kampin e refugjatëve në Bregun Perëndimor, ministria palestineze e Shëndetësisë raporton për të paktën 14 të vrarë

admin

Ha’masi: Kërkuam negociata indirekte për zbatimin e vendimit të KS-OKB-së

admin