Kryetari i partisë izraelite Fuqia Hebraike, Itamar Ben-Gvir, bëri thirrje për kthim në politikën e atentateve dhe rritje të presionit ndaj të burgosurve palestinezë për shkak të sulmeve me bomba sot në Kudsin Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).
Ben-Gvir i cili është kandidat për të marrë postin e ministrit të Sigurisë së Brendshme në qeverinë e re të Izraelit e cila pritet të formohet nën drejtimin e Benjamin Netanyahut, dha deklaratë për gazetarët në vendin e sulmeve.
“Terrorizmi duhet të paguajë çmim jashtëzakonisht të rëndë. Kjo do të thotë kthim në atentate, rritje të presionit ndaj të burgosurve palestinezë dhe ndaljen e pagesave për qeverinë e Palestinës”, tha Ben-Gvir.
I njohur për retorikën e tij raciste dhe diskriminuese ndaj palestinezëve, politikani izraelit theksoi se qeveria e re duhet të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur për të zbatuar masat e sigurisë në fjalë.
Nga ana tjetër, ministri i Sigurisë së Brendshme të Izraelit, Omer Bar-Lev, në një deklaratë në Twitter, tha se dy sulmet ishin produkt i një strukture të organizuar.
Duke thënë se njësitë izraelite të sigurisë po bëjnë përpjekje për të gjetur sulmuesit, Bar-Lev deklaroi se do t’i kapin ata të gjallë ose të vdekur.
Policia izraelite njoftoi mëngjesin e sotëm se u kryen sulme me bomba në dy stacione autobusësh në dy pika të veçanta në kryqëzimet Givat Shaul dhe Ramot të Kudsit Perëndimor, me gjysmë ore dallim, duke vrarë një izraelit dhe duke plagosur gjithsej 14 persona, katër prej tyre në gjendje të rëndë.
Ndërkaq, askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmet.