Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se Afrika mund të flasë vetë, por kur Franca përpiqet të fjalë për Afrikën, kjo pasqyron mentalitetin e saj neo-kolonialist, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një bisedë me AA-në, Zakharova foli mbi komentet e presidentit francez, Emmanuel Macron, që pretendonte se Moska po ndjek një “politikë grabitqare” në Afrikë. Ajo tha se të gjitha vendet janë sovrane dhe të pavarura dhe kanë të drejtë të ndjekin politikat e tyre, të brendshme dhe të jashtme, si dhe kanë të drejtë të zhvillojnë lidhje dypalëshe.
“Ne nuk e kuptojmë pse zyrtari në Paris po flet në emër të kontinentit afrikan. Kontinenti afrikan ka zërin e vet. Dhe, ishte vendi ynë që ndihmoi shtetet afrikane të fitojnë atë zë dhe ta zhvillojnë atë”, tha Zakharova.
“Vendet afrikane dhe kontinenti kanë të drejtën të flasin vetë, me të drejtën për të zhvilluar marrëdhënie me ata që duan. Ata nuk kanë nevojë për shërbimet e ndërmjetësimit të Francës për këtë”, shtoi ajo.
Më tej, Zakharova tha se për një kohë të gjatë vendet afrikane vuajtën nga “kolonizuesit” në territoret e tyre dhe tani po gëzojnë lirinë e tyre, duke i lejuar të marrin vendime sovrane.
Duke komentuar pretendimet e drejtorit të përgjithshëm të agjencisë së inteligjencës britanike MI5, Ken McCallum, se 400 nga 600 diplomatët rusë të dëbuar nga Evropa ishin “spiunë”, Zakharova u kërkoi gazetarëve të pyesnin palën britanike, përfshirë ambasadën britanike në Moskë, se sa oficerë të inteligjencës britanike, spiunë dhe agjentë të rekrutuar punojnë në Rusi.
“Sa njerëz të lidhur me inteligjencën britanike, përfaqësues të inteligjencës britanike e të rekrutuar nga inteligjenca britanike paguhen nga inteligjenca britanike e punojnë në territorin e Federatës Ruse. Para se të flisni për të tjerët, tregoni për veten tuaj”, theksoi Zakharova në bisedën me AA-në.