Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se aleanca nuk do të tërheq mbështetjen për Ukrainën pasi sulmet ruse vazhdojnë të vënë në shënjestër qytetet e Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fund të takimit të ditës së parë të shefave të diplomacisë së vendeve të NATO-s, që po mbahet në kryeqytetin rumun, Stoltenberg tha se takimi në Bukuresht po dërgon një mesazh të fortë të unitetit të NATO-s dhe mbështetjes së qëndrueshme për Ukrainën.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, për aq kohë sa të duhet. Ne nuk do të tërhiqemi. Aleatët bënë premtime shtesë për ‘Paketën Gjithëpërfshirëse të Ndihmës’ së NATO-s për Ukrainën. Kjo do të financojë mbështetjen urgjente jo vdekjeprurëse, përfshirë karburantin dhe gjeneratorët, duke ndihmuar Ukrainën të adresojë pasojat e goditjeve të Rusisë kundër rrjetit të tyre të energjisë”, theksoi Stoltenberg.
Sot, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, u kërkoi anëtarëve të NATO-s që të veprojnë më shpejtë në dhënien e ndihmës ushtarake dhe jo ushtarake për të trajtuar luftën me Rusinë.
Stoltenberg tha se në takim u diskutua edhe për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në NATO.
“Ministrat e jashtëm konfirmuan mbështetjen e NATO-s për të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur rrugën e saj. Ne i kuptojmë dhe i respektojmë aspiratat e Ukrainës për anëtarësim”, tha Stoltenberg.
Aplikimi i vendeve nordike për anëtarësim në NATO
I pyetur nga AA nëse Suedia fuqishëm po përpiqet të eliminojë shqetësimet e Turqisë për grupin terrorist PKK, shefi i NATO-s tha se dy vendet zbatuan memorandumin e trefishtë të nënshkruar në Madrid.
“Suedia bëri një ndryshim kushtetues, forcoi ligjin kundër terrorizmit, disa njerëz u deportuan dhe kufizimet e eksportit të armëve në Turqinë u hoqën”, tha Stoltenberg.
Ai kujtoi se Türkiye, Suedia dhe Finlanda kanë krijuar mekanizma për të siguruar që kjo të vazhdojë dhe do të jetë një përpjekje e përhershme për të punuar së bashku me Turqinë.
Në muajin maj, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n, një vendim i shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Por Turqia shprehu kundërshtime për aplikimet e tyre për anëtarësim, duke i akuzuar të dy vendet se tolerojnë dhe madje edhe mbështesin grupe terroriste.
Turqia dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum në qershor në samitin e NATO-s në Madrid për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Ankarasë, duke hapur rrugën e anëtarësimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë.
Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane PKK-së.
“NATO e shqetësuar për Ballkanin Perëndimor
Në përgjigje të pyetjes së AA-së se si NATO po i adreson shqetësimet e shtuara të sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, Stoltenberg tha se NATO është e shqetësuar për rajonin.
“Ne jemi të shqetësuar për Ballkanin Perëndimor. Ne kemi vende anëtare nga rajoni dhe kemi partnerë në rajon. Ne kemi misionin KFOR të NATO-s në Kosovë me afër 4 mijë trupa që duhet të garantojnë paqen dhe stabilitetin dhe ne gjithashtu kemi seli në kryeqytetin Sarajevë të Bosnjës”, tha Stoltenberg.
LIVE SOON (10:00 CET)
Pre-ministerial press conference ahead of #NATO #ForMin in Bucharest
@NATO HQ, Brussels https://t.co/RwXQEaW5DI
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) November 25, 2022