Turqia vazhdon përpjekjet për zgjidhjen e luftës Rusi-Ukrainë, tha të premten presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se së shpejti do të bisedojë me homologët e tij në dy shtetet palë të konfliktit.
“Për të zgjidhur krizën, do të bisedoj me presidentin rus Vladimir Putin të dielën. Do të ketë bisedime edhe me presidentin ukrainas Volodymy Zelenskyy”, tha Erdoğan gjatë fjalimit në TRT World Forum në Istanbul.
Erdoğan tha se Turqia dëshiron të përforcojë edhe më shumë korridorin e drithit që Türkiye e mundësoi këtë verë.
Më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina firmosën marrëveshjen historike të Istanbulit për vazhdimin e eksporteve të drithit nga 3 portet ukrainase në Detin e Zi, që ishte ndërprerë në shkurt për shkak të luftës ruse në Ukrainë.
Disa ditë para skadimit, marrëveshja e drithit u vazhdua për 120 ditë të tjera, duke filluar nga 19 nëntori.
Erdoğan tha se që nga fillimi i krizës, Turqia ka bërë diplomaci intenzive me parimin se nuk do të ketë fitues në luftë, duke shtuar se Turqia ka bërë një diplomaci paqësore që do të mbetet si shembull në botë.
“Ndërsa mbron fuqishëm integritetin territorial të Ukrainës, Turqia kundërshton ndezjen e flakëve në rajon me politika irracionale ndaj Rusisë”, tha Erdoğan.
Lufta kundër terrorizmit
Duke folur për luftën kundër terrrorizmit, presidenti Erdoğan kritikoi shtetet – përfshirë disa anëtare të NATO-s – që mbështesin dhe u dërgojnë armë terroristëve në Sirinë veriore, që cënojnë Turqinë dhe stabilitetin rajonal.
Erdoğan tha gjithashtu se pavarësisht se Turqia dhe ShBA-ja janë janë aleate në NATO, ShBA-ja pajis ishujt grekë me armë dhe avionë, ndërsa marrëveshja për F-16 mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk është arritur akoma.
TRT World Forum 2022 është event i përvjetshëm dyditor që po mbahet në Istanbul, i organizuar nga televizioni kombëtar turk TRT.
Eventi mbledh akademikë, gazetarë, intelektualë, politikanë dhe anëtarë të shoqërisë civile nga e gjithë bota.