Katari mohoi përsëriti të dielën se është i përfshirë në një rast korrupsioni që po hetohet nga autoritetet belge dhe që përfshin persona të lidhur me Parlamentin Evropian.
Autoritetet belge kanë akuzuar katër persona të lidhur me Parlamentin Evropian se kanë marrë para nga organizatori i Kupës së Botës, Katari për të ndikuar në marrjen e vendimeve në favor të tij. Mes tyre ishte edhe nënkryetarja e parlamentit evropian, deputetja greke, Eva Kaili.
Ligjvënësit votuan me shumicë dërrmuese të martën për t’i dhënë fund mandatit të saj në detyrë.
Katari ka mohuar më parë të ketë bërë një gjë të tillë.
Një diplomat i misionit të Katarit pranë Bashkimit Evropian tha me anë të një deklarate të dielën se “paragjykimet” kishin ndikuar në vendimin e parlamentin të enjten për të pezulluar punën mbi legjislacionin që ka lidhje me Katarin dhe për të ndaluar përfaqësuesit e Katarit nga ambientet e tij.
Pezullimi prek legjislacionin që lidhet me liberalizimin e vizave, një marrëveshje aviacioni BE-Katar dhe vizitat e planifikuara, derisa akuzat të konfirmohen ose të hidhen poshtë.
“Vendimi për një kufizim të tillë diskriminues do të ndikojë negativisht në bashkëpunimin rajonal dhe global të sigurisë, si dhe diskutimet e vazhdueshme rreth varfërisë dhe sigurisë globale të energjisë,” tha diplomati.
Katari ishte “kritikuar dhe sulmuar ekskluzivisht” në hetim dhe është thellësisht i zhgënjyer që qeveria belge “nuk bëri përpjekje për t’u angazhuar me qeverinë tonë për të vërtetuar faktet”, thuhej në deklaratë.
Një zëdhënës i Parlamentit Evropian nuk pranoi të komentojë mbi akuzën.
Zëdhënësit e Ministrisë belge të Drejtësisë dhe Zyrës së Prokurorisë Federale nuk reaguan menjëherë ndaj kërkesave për koment.
Ministria tha të mërkurën se shërbimi i saj i zbulimit ka punuar ngushtë me vendet e tjera evropiane për më shumë se një vit për të zbuluar skandalin e korrupsionit. /voa