Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka realizuar një vizitë të papritur në një qytet në rajonin lindor Donetsk të goditur nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vizita në qytetin Bakhmut u konfirmua nga sekretari presidencial për media i Ukrainës, Serhii Nykyforov, i cili për transmetuesin publik ‘Suspilne’ tha se Zelenskyy vizitoi “pozicionet e vijës së parë dhe ndau çmime e dhurata ushtarake”.
Më vonë, kanali ukrainas i lajmeve ‘Freedom’ ndau një video të presidentit ukrainas duke shpërndarë çmime për ushtarët në qytet.
Asnjë informacion i mëtejshëm nuk u dha lidhur me vizitën e papritur.
Në një fjalim mbrëmë vonë, Zelenskyy tha se qyteti Bakhmut është pika më e nxehtë në të gjithë vijën e frontit midis Kievit dhe Moskës.
Donetsk që nga viti 2014 është pjesë e një rajoni që është përfshirë nga konflikti kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia. Në muajin shtator, Rusia tha se po anekson rajonin, një masë e refuzuar nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.