RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Çavuşoğlu: Turqia dhe Afrika e Jugut ndajnë një të ardhme të ndritur

cavusoglu:-turqia-dhe-afrika-e-jugut-ndajne-nje-te-ardhme-te-ndritur

E ardhmja e bashkëpunimit midis Turqisë dhe Afrikës së Jugut është e ndritshme për shkak të vlerave të tyre të përbashkëta historike, kulturore dhe vizionit global, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të vazhdojmë të jemi në unitet dhe solidaritet me Afrikën e Jugut për të gjeneruar paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajonet tona dhe më gjerë”, deklaroi ministri Çavuşoğlu, në një artikull për faqen e lajmeve IOL të Afrikës së Jugut.

Çavuşoğlu aktualisht ndodhet në një turne në pesë vende në Afrikë, i cili filloi të dielën me ndalesën e tij të parë në Afrikën e Jugut, ku ai vizitoi Xhaminë Nurul Hamidiye në Cape Town, të quajtur sipas Sulltan Abdulhamid II. Xhamia u rinovua nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ai vizitoi edhe varrezat Tana Baru, ku ndodhet varri i dijetarit islam osman, Abu Bakr Effendi. Çavuşoğlu inauguroi edhe zyrtarisht Konsullatën e Përgjithshme turke në Cape Town.

Të hënën ai vizitoi varrin e konsullit të fundit të përgjithshëm osman Mehmet Remzi Beu në varrezat Braamfontein në Johanesburg.

Kryediplomati turk tha se vizioni i përbashkët i Turqisë dhe Afrikës së Jugut për çështjet globale luan një rol të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve të tyre.

Çavuşoğlu tha se Turqia ndan të njëjtat pritshmëri si Afrika e Jugut drejt një rendi global të drejtë dhe efikas të bazuar në multilateralizëm efektiv, duke përfshirë një reformë strukturore të sistemit të OKB-së për të siguruar që zëri i Afrikës të dëgjohet nga komuniteti ndërkombëtar.

Si anëtare të G-20, Turqia dhe Afrika e Jugut kanë një përgjegjësi historike, që rrjedh nga mësimet e nxjerra nga betejat e tyre historike, për të mbrojtur dhe përhapur frymën e paqes, respektit dhe bashkëpunimit në të gjithë rajonet e tyre dhe globalisht, shkroi Çavuşoğlu.

– Zgjidhja e konflikteve

Çavuşoğlu tha se Afrika e Jugut ka qenë një nismëtare për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe ka vendosur diplomacinë e paqes në Afrikë. Po kështu Turqia, me politikën e saj të jashtme iniciative dhe humanitare, është kthyer në një simbol ndërmjetësimi dhe lehtësimi.

Çavuşoğlu tha se përpjekjet e Turqisë në luftën në Ukrainë janë shembulli më i fundit. “Duke siguruar marrëveshjen e drithit të Istanbul-it, ne siguruam rrjedhën e pandërprerë të grurit dhe plehrave, veçanërisht në Afrikë”, tha ai.

Ai tha se Turqia është gjithashtu një partner zhvillimi i besueshëm dhe parimor për Afrikën e Jugut, ku TIKA ka qenë e pranishme në projektet e bashkëpunimit për zhvillim në të gjithë vendin, duke arritur deri të komunitetet rurale në të gjitha nëntë provincat e vendit.

TIKA deri më tani ka përfunduar 50 projekte që nga viti 2015, prej të cilave rreth 20 projekte vetëm në vitin 2022.

Çavuşoğlu tha gjithashtu se Instituti “Yunus Emre” në Johanesburg, Qendra Kulturore Turke, e hapur në vitin 2017 ka bashkuar popujt e të dy vendeve përmes kurseve gjuhësore, konferencave dhe ekspozitave.

Fondacioni Turk Maarif, i cili ka një zyrë në Johanesburg që nga viti 2018, vitin e kaluar hapi gjithashtu dyert e shkollës së tij të parë në Johannesburg.

“Jam i lumtur të njoftoj se Maarif do të hapë shkollën e tij të dytë në Cape Town këtë vit”, tha ai, duke shtuar se hapja e Qendrës së Studimeve Turke Maarif në Universitetin e Pretoria do të shërbejë për të thelluar njohuritë e përbashkëta dhe për të motivuar akademikët që të bëjnë studime në të dyja vendet.

Ai tha gjithashtu se Turkish Airlines, e cila ka 62 destinacione në Afrikë, ka qenë e rëndësishme në rritjen e numrit të turistëve midis Türkiye-s dhe Afrikës së Jugut, e cila arriti një nivel të ri në vitin 2022 prej 90.000 vizitorësh, ndërsa qytetarët e Afrikës së Jugut dhe Turqisë zbulojnë bukuritë dhe mundësitë e njëri-tjetrit.

Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit tha në një deklaratë se vizita e ministrit Çavuşoğlu pritet të avancojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis dy vendeve dhe të thellojë mirëkuptimin e çështjeve rajonale dhe shumëpalëshe.

Afrika e Jugut është partneri më i madh tregtar i Turqisë në Afrikën Sub-Sahariane. Vëllimi tregtar mes tyre ishte vetëm 457 milionë dollarë në vitin 2003, por arriti një rekord prej 3 miliardë dollarësh në fund të 2022. Kjo paraqet një rritje prej 50 për qind nga viti i kaluar dhe një vlerësim relativisht të balancuar.

Related posts

Takimet e fundit përfunduan pa rezultat, VOA: Mungesë gatishmërie për zhbllokimin e procesit të bisedimeve Kosovë–Serbi

admin

Arrestimi i Noizy për sherrin në Pejë, kërcënohet zyrtari i Prokurorisë/ Çfarë ndodhi…

admin

​Evidentohen 175 fëmijë lëmoshë kërkues këtë vit në Kosovë

admin