RTV AHIRETI
Agjërimi

DHIKRI ËSHTË JETË PËR ZEMRËN

dhikri-eshte-jete-per-zemren

Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe i atij që nuk e përmend Allahun është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”

Me një transmetim tjetër: “Shembulli i shtëpisë ku në të përmendet Allahu dhe i shtëpisë ku në të nuk përmendet Allahu është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”

Kur zemra është e gjallë, ajo mbushet me iman, siç Allahu thotë: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrënqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.” (Ez-Zumer: 23)

Mjerë për atë të cilin zemra është e pandjeshme kur përmendet Allahu, sepse ajo ka vdekur. Allahu thotë: “Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu!” (Ez-Zumer: 22)

Erdhi një njeri tek el-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, t’i ankohej për ngurtësinë që e ndiente në zemrën e tij, e ai i tha: “Zbute zemrën me dhikër.”; dhe kjo, sepse zemrës sa më shumë që i shtohet pakujdesia, aq më shumë i shtohet ngurtësia e, kur përmendet Allahu, ajo ngurtësi shkrihet.

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “S’ka dyshim që zemra ndryshket sikur ndryshken bakri e argjendi dhe metalet e tjera, ndërsa përmendja e Allahut e pastron atë, dhe aq shumë e pastron derisa e bën të duket si pasqyrë e bardhë. E, nëse zemra e braktis përmendjen e Allahut, ajo ndryshket.

Ndryshkja e zemrës vjen për dy arsye: Pakujdesia dhe gjynahu.

Pastrimi dhe shkëlqimi i zemrës vjen me dy gjëra: Me istigfar (kërkimfalje) dhe me dhikër (përmendje të Allahut).

Kur zemrën e njeriut e pushton pakujdesia në shumicën e kohës, pritet që ndryshkja ta mbulojë atë, ndërsa sasia e ndryshkut varet krejtësisht nga sasia e pakujdesisë.”

Dr. Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU




Related posts

Tribunë Islame Helsingborg Suedi

admin

Tribunë Islame Qendra Levizja

admin

EBA ka dërguar 118 avionë me ndihma për të prekurit nga tërmetet në Türkiye dhe Siri

Muhamet Ramadani