Gjendje e rëndë nga tërmeti është raportuar në Siri. Një siriani i është shuar krejt familja nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë. Ai nuk mund t’u besonte syve teksa mblidhte trupat e familjarëve të tij të vdekur në morgun e qytetit
Kishte ikur nga lufta në Siri në kërkim të një jete më të sigurt në një qytet tjetër. Por tërmeti ia rrënoi krejt jetën.
Ahmed Idris, i zhvendosuri sirian, ka humbur 25 anëtarët e familjes së tij nga tërmeti, që goditi Turqinë dhe Sirinë.
Qante në agoni teksa shikonte trupat e familjarëve në morgun e qytetit.
Idris u zhvendos nga qyteti i tij me familjen për t’i ikur luftës civile në Siri.
Ecën mes trupave të familjareve. Nuk mund t’u besojë syve teksa thërret emrat e më të dashurve të tij.
“Kam humbur të bijën, dy nipat, familjen e gruas sime, familjen e burrit të vajzës, djemtë dhe vajzat e tyre. Në total janë 25 persona”, ka thënë Idris.
Tërmeti shembi mijëra ndërtesa në Siri dhe ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen në shtetin e tronditur nga lufta 12-vjeçare.
Kërkim-shpëtimi për të mbijetuar është vështirësuar në Siri për shkak të luftës dhe izolimit nëpër rajonet kufitare, të cilat kontrollohen nga rebelët.
“Ikëm nga lufta. Shiko çfarë padrejtësie na ndjek dhe çfarë na ndodhi neve. Erdhëm këtu për të gjetur siguri për fëmijët tanë. Por në fund, shikoni se çfarë na solli fati? Zotit i qofshim falë”, ka thënë Idris.
Vetë Siria është në paria ndërkombëtare nën sanksionet Perëndimore për shkak të luftës.
Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se po hulumtojnë për të gjitha mënyrat me qëllim që të furnizohen me ndihma rajoni veriperëndimor i Sirisë që kontrollohet nga rebelët. /koha