RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Maqedoni e Veriut, punonjësit e medias në marsh protestues

maqedoni-e-veriut,-punonjesit-e-medias-ne-marsh-protestues

Punonjësit e mediave në Maqedoninë e Veriut kanë mbajtur një marsh protestues në kryeqytetin Shkup, duke filluar nga ndërtesa e qeverisë së vendit drejt ndërtesës së parlamentit, raporton Anadolu.

Marshi protestues u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave (SPGPM).

Kreu i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, dhe kreu i SPGPM-së, Pavlle Bellovski, i dorëzuan qeverisë plan veprimi me kërkesa të ndryshme, si dhe afate për zbatimin e tyre.

Ndër kërkesat janë gjetja e zgjidhjeve sistematike për cilësinë e përmbajtjeve gazetareske, paga dinjitoze, si dhe ofrimi i kushteve për produkteve gazetareske cilësore dhe profesionale për të gjitha mediat.

Punonjësit e medias që morën pjesë në këtë marsh protestues mbanin pankarta me mbishkrime të ndryshme si: “Nëse na kufizoni lirinë, rrezikoni lirinë tuaj”; “Gazetaria është në sulm, ne jemi të bashkuar”; “Po shkelni gazetarët, po shkelni shoqërinë e lirë”’; “Punojmë për qytetarët, jo për politikanët”; “Fyerja e gazetarëve është nënvlerësim i qytetarëve”.

SHGM-ja dhe SPGPM-ja kërkuan zbatim të shpejtë dhe efikas të ligjeve që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve.

Çadikovski tha se nevojitet zbatimi i ligjeve që janë të rëndësishme në fushën e gazetarisë për të siguruar funksionimin e pavarur të shërbimit publik dhe të rregullatorit.

Ndër të tjera, ai theksoi se siguria e gazetarëve nuk është në nivelin që duhet të jetë.

Nga ana tjetër, Bellovski tha se të gjitha mediat të bashkuara duhet të vazhdojnë të kërkojnë dhe të luftojnë për atë që u takon sipas ligjit.

Sipas tij, sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias janë sulm ndaj publikut, përkatësisht ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Related posts

Macron: Njohja e shtetit palestinez nuk është tabu për Francën

admin

Dialogu, sulmet kibernetike: Mediat shqiptare tregojnë temat që i folën Kurti e Rama

admin

Agjencia e OKB-së: Fëmijët e Gazës po vuajnë nga “nivele shkatërruese të stresit”

admin