KFOR-i ka njoftuar se do të zhvillojë një stërvitje rutinore ushtarake në pjesën perëndimore të Kosovës nga data 14-17 mars.
Aktiviteti stërvitor do të kryhet nga Komanda Rajonale e Kontingjentit Shumëkombësh Perëndimor dhe do të fokusohet në gatishmërinë e njësisë.
Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it do të pozicionohen në komunat e Istogut, Gjakovës dhe Prizrenit.
Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizjen tokësore gjatë ditës dhe natës, si dhe fluturime me helikopterë mbi qytetet e Gjakovës, Deçanit, Shtërpcës dhe Rahovecit.
Do të ketë gjithashtu kolona automjetesh të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që kalojnë tranzit në rrugët kryesore dhe dytësore brenda rajonit.
“KFOR-i kryen ushtrime të tilla rutinë për qëllime stërvitore dhe trajnimi, për të ofruar reagim me kohë dhe në mënyrë të sigurt. KFOR-i do të përpiqet për ndikim minimal në popullatën civile dhe të kufizojë çdo ndërprerje të aktiviteteve komerciale”, thuhet në njoftim.
KFOR-i shton se është i fokusuar çdo ditë në zbatimin dhe ushtrimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.